Adham Kako,Halit Süleyman
19 Mars 2017•Përditësim: 19 Mars 2017
HALEP (AA) - Personat të evakuuar nga qarku qendror i qytetit Homs, Vaer, që është nën rrethimin e forcave të Bashar al-Asadit dhe ku po zhvillohen shkeljet e armëpushimit në mënyrë më të intensifikuar, kanë arritur në kampin Shemarig në Azez, duke u transportuar nga qarku Al-Bab i Halepit, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të marra nga gazetarët e AA-së në qarkun Al-Bab të Halepit, dje në mesditë, grupi i përbërë prej 32 autobusëve të cilët ishin nisur nga Vaer, sot në mëngjes ka hyrë në qarkun Al-Bab.
Në fazën e parë të evakuimeve të bëra nga Vaer, 519 fëmijë, 412 gra dhe 423 meshkuj, gjithsej 1.354 persona mes të cilëve gjenden edhe të plagosur dhe kundërshtarët e armatosur të regjimit, u transportuan nga Al-Bab-i i kontrolluar nga opozitarët. Konfirmohet se këta persona kanë arritur në kampin Shemarig në qytetin Azez.
Theksohet se brenda një jave janë bërë 20 mijë e 600 kërkesa për evakuim nga Vaer-i i cili gjendet që prej 4 vjetësh nën rrethimin e regjimit sirian. Gjithashtu theksohet se 12 mijë persona nga rajoni do të shkojnë në pjesën veriore rurale të Halepit, 6 mijë e 200 në Idlib, ndërsa 2 mijë e 400 në pjesën rurale të Homsit.
Në pajtueshmëri me marrëveshjen e arritur mes regjimit dhe opozitarëve më 13 mars, opozitarët të cilët ishin detyruar të largohen nga qarku, së bashku me familjet e tyre kishin filluar evakuimin që nga dje.
Ndërkohë, theksohet se për mbikëqyrjen e procesit të evakuimit i cili pritet të realizohet për 6 javë do të angazhohen njësitë ruse në Vaer.