Fillon viti i ri shkollor në Gazën e shkatërruar nga lufta pas pothuajse 2 vite pauzë
Nxënësit do të ndjekin orët mësimore në shkollat që kanë mbetur në këmbë, janë rinovuar dhe pajisur ose përmes shkollave alternative dhe pikave arsimore që janë krijuar në shumë zona

Gaza
Viti i ri shkollor ka filluar në Rripin e Gazës së shkatërruar pas pezullimit të sulmeve izraelite 16-mujore në enklavën palestineze, raporton Anadolu.
Ministria e Arsimit me bazë në Gaza tha se nxënësit do të ndjekin orët mësimore në shkollat që kanë mbetur në këmbë, janë rinovuar dhe pajisur ose përmes shkollave alternative dhe pikave arsimore që janë krijuar në shumë zona.
Ministria kërkon të ofrojë kurse online për nxënësit që nuk mund të ndjekin orët mësimore në shkolla për “të siguruar që ata të vazhdojnë arsimin e tyre”.
Viti i ri shkollor filloi në Gaza mes shkatërrimeve masive dhe mungesës së madhe të burimeve dhe kapaciteteve.
Ministria u bëri thirrje organizatave të të drejtave të njeriut që të bëjnë presion ndaj Izraelit që të lejojë qasjen në materialet e nevojshme për procesin arsimor në Gaza.
Sipas shifrave palestineze, 85 për qind e shkollave në Gaza janë jo-funksionale për shkak të bombardimeve izraelite.
Zyra për media e qeverisë së Gazës njoftoi se të paktën 12.800 nxënës dhe 800 mësues u vranë, si dhe 1.166 institucione arsimore u shkatërruan në luftën izraelite që filloi më 7 tetor të vitit 2023. Dëmi në sektorin e arsimit në Gaza vlerësohet në mbi 2 miliardë dollarë.
Një marrëveshje armëpushimi hyri në fuqi në Gaza më 19 janar, duke ndalur luftën gjenocidale të Izraelit, e cila që nga tetori i vitit 2023 ka vrarë të paktën 48.300 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe e ka lënë enklavën në gërmadha.
Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste për kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli për fushatën ushtarake në enklavën palestineze përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.