Shpetim Hiseni
06 Janar 2026•Përditësim: 08 Janar 2026
Në Rajonin Afar të Etiopisë, pranë Malit Fentale, komuniteti i fisit Karrayyu, që bën pjesë në popullin Oromo, ka zhvilluar ceremoninë tradicionale të zgjedhjes së prijësit të ri, të njohur si “Abbaa Bokku”.
Gjatë ceremonisë, u zhvilluan rite tradicionale që përfshijnë sakrifikimin simbolik të bagëtive, ndërsa anëtarët e fisit morën pjesë të veshur me kostume karakteristike. Atmosfera u shoqërua me valle dhe këngë tradicionale, si dhe me një ceremoni të veçantë rruajtjeje për burrat e fisit.
Në mbrëmje, gratë e fisit u mblodhën së bashku për lutje dhe kënduan këngë me motive tradicionale.
Kjo ngjarje përbën një element të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore të popullit Oromo, duke ruajtur një praktikë shekullore të organizimit shoqëror.