Barry Ellsworth
05 Gusht 2021•Përditësim: 05 Gusht 2021
Fluturimi i parë me shtetas afganë që ndihmuan ushtrinë kanadeze në Afganistan arriti mbrëmë në Kanada, transmeton Anadolu Agency (AA).
Qeveria tha se ky është fluturimi i parë nga disa fluturimesh të planifikuara për ditët dhe javët e ardhshme, që sipas qeverisë kanadeze, tregon se vendi po përmbush detyrimin e saj për të ndihmuar afganët të cilët janë duke u përndjekur nga ri ngritja e talebanëve.
"Ne u angazhuam për të vepruar drejt me afganët që mbështetën misionin e Kanadasë në Afganistan", thuhet në një njoftim të departamentit të qeverisë kanadeze që është përgjegjës për çështjet që kanë të bëjnë me emigracionin, refugjatët dhe shtetësinë kanadeze (IRCC).
"Me ardhjen e refugjatëve të parë afganë të zhvendosur në Kanada, ne po e përmbushim atë premtim," tha ajo.
Refugjatët ndihmuan ushtrinë kanadeze gjatë qëndrimit 10-vjeçar të Kanadasë në Afganistan dhe shërbyen në disa pozita, përfshirë përkthyes dhe kuzhinierë. Familjet e tyre gjithashtu vijnë në Kanada.
"Qeveria është angazhuar me urgjencën në terren dhe po punon sa më shpejt që të jetë e mundur për të zhvendosur shtetasit afganë të cilët e vënë veten në rrezik të madh për të mbështetur punën e Kanadasë në Afganistan", thuhet në deklaratën e IRCC-së.
"Ne kemi punuar gjatë gjithë kohës për të identifikuar individët që kanë të drejtë të vijnë në Kanada sipas këtij programi të veçantë emigracioni", shtohet në deklaratë.
Qeveria tha se refugjatët i janë nënshtruar kontrollit të sigurisë, janë testuar për COVID-19 dhe do të vendosen në karantinë. Nuk është bërë e ditur se ku do të ndodhë kjo. Gjithashtu, për arsye sigurie nuk është bërë e ditur se ku do të jetojnë refugjatët.
"Për të ndihmuar afganët të përshtaten me jetën në Kanada, organizatat që ofrojnë shërbime në komunitetet në të gjithë Kanadanë po përgatiten t'i mirëpresin ata", thuhet në deklaratë.
"Organizatat e vendosjes do t'i ndihmojnë ata të gjejnë strehim të përhershëm, trajnim gjuhësor, punë dhe lidhje me emigrantët e vendosur dhe kanadezët, si dhe do t'u sigurojnë atyre informacionin që u nevojiten për jetën në Kanada", thuhet në fund të deklaratës.