Gülşen Topçu
19 Mars 2021•Përditësim: 21 Mars 2021
Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut në Liban, Hasan Nasrallah deklaroi se forcat e brendshme dhe të jashtme po e shtyjnë vendin në një luftë civile, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur për televizionin Al-Manar të Hezbollahut, Nasrallah tha se Libani po kalon një krizë të madhe politike, financiare dhe ekonomike.
Ai tha se mori informacione se disa forca të huaja dhe të brendshme po e shtyjnë Libanin në luftë civile. "Ne nuk mund të lejojmë askënd që ta çojë vendin në luftë civile ose grindje të brendshme në emër të krizës ekonomike, krizës së dollarit dhe formimit të qeverisë", Nasrallah.
Duke iu referuar çështjes së armëve të Hezbollahut, Nasrallah tha se "Është gënjeshtër dhe gabim që vetëm ne kemi armë. Në luftën civile nuk duhen raketa precize, por nevojiten pushkë dhe armë të lehta dhe shumica e libanezëve i kanë këto", tha ai.
Nasrallah theksoi se Hezbollahu është larg mendimit për të përdorur armë për ta reformuar shtetin, për të formuar qeverinë ose për të luftuar korrupsionin dhe se këto çështje zgjidhen me mjete tjera të ndryshme, por nuk dha detaje më tepër.
Ai komentoi vlerësimet se dorëzimi i armëve të Hezbollahut do të zgjidhte krizën si "padrejtësi dhe shpifje".
Duke folur për krizën e qeverisë, Nasrallah tha se Hezbollahu ka pranuar formimin e një qeverie teknokratike dhe se nëse arrihet marrëveshja në takimin që do të mbahet të hënën nga presidenti Michel Avn dhe Saad al-Hariri, i cili është përgjegjës për formimin e qeverisë, edhe Hezbollahu gjithashtu do ta miratojë atë.
Nasrallah e këshilloi Haririn të rishikojë idenë e formimit të një qeverie teknokrate dhe të formojë një qeveri "tekniko-politike" në të cilën do të përfshihen teknokratë si dhe politikanë, në mënyrë që askush të mos i shpëtojë përgjegjësisë.
Sipas tij, nëse qeveria nuk arrin të formohet, zgjidhja është kthimi në punë pa asnjë kusht qeverinë që dha dorëheqje më parë.
Duke iu referuar rënies së lirës libaneze ndaj dollarit, Nasrallah fajësoi Guvernatorin e Bankës Qendrore, Riad Salame. "Z. kryetar, fuqitë dhe marrëdhëniet tuaja do t'ju mundësojnë të parandaloni këtë rritje marramendëse të dollarit. Kjo është përgjegjësia juaj dhe duhet të mbroni lirën libaneze", tha Nasrallah.
Më 17 mars presidenti libanez, Michel Avn i bëri thirrje Saad al-Haririt, i cili u emërua për formimin e qeverisë së re në tetor, të formojë qeverinë sa më shpejtë ose t'ua linte vendin të tjerëve.
Hariri, i cili u takua me presidentin Avn në Pallatin Presidencial Baabda në Bejrut një ditë pas kësaj deklarate tha se më 22 mars do të zhvillojnë një takim për të formuar qeverinë e re sa më shpejt të jetë e mundur.
Situata politike dhe ekonomike në Liban
Ekonomia libaneze, e cila ka një strukturë shumë të brishtë për sa i përket ndarjeve politike të bazuara në fe dhe sekte të ndryshme, po përjeton krizën më të madhe që nga lufta civile e viteve 1975-1990.
Që nga 17 tetori 2019, bankat që përdorin praktika të ashpra kundër daljes së kapitalit kanë pezulluar transferimet ndërkombëtare dhe kanë vendosur kufizime në tërheqjen e valutës së huaj në llogaritë personale të klientëve.
Në tregun e zi 1 dollar u rrit në 15 mijë lira libaneze ndërsa u ul në 12 mijë lira pas takimit midis presidentit Avn dhe Saad Haririt.
Shpërthimi i madh në Portin e Bejrutit në gusht 2020 rriti problemet ekonomike në Liban dhe shkaktoi një krizë të re qeveritare.
Qeveria e kryeministrit, Hassan Diyab më 10 gusht 2020 dha dorëheqje pas reagimeve pas shpërthimit, por në vend nuk mund të formohej qeveri e re për muaj me radhë për shkak të mosmarrëveshjeve midis grupeve politike.
Duke i konsideruar forcat politike dhe udhëheqësit politik si shkak të krizës ekonomike në vend, populli kërkon formimin e një qeverie të përbërë nga teknokratë, pa parti politike sektare që kanë ndarë pushtetin për shumë vite.