Ekip
09 Qershor 2021•Përditësim: 10 Qershor 2021
Forcat izraelite sot kanë arrestuar 17 palestinezë, përfshirë një udhëheqës të Hamasit, në bastisjet në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, sipas dëshmitarëve dhe agjencisë zyrtare të lajmeve Wafa, transmeton Anadolu Agency (AA).
Forcat izraelite bastisën shtëpinë e liderit të Hamasit, Nader Sawafteh në qytetin Tubas në Bregun Perëndimor dhe e vendosën atë në paraburgim, theksuan dëshmitarët okularë.
Sawafteh u arrestua disa herë nga ushtria izraelite ndërsa u la i lirë në mars të vitit 2020 pasi vuajti një vit burg.
Gjashtëmbëdhjetë palestinezë të tjerë u arrestuan nga forcat izraelite në qytetet Nablus, Ramallah, Hebron dhe Kudsin Lindor, njoftoi Wafa.
Forcat izraelite kryejnë sulme në qytete dhe zona palestineze pothuajse çdo ditë me pretendimet për arrestimin e palestinezëve të kërkuar.
Izraeli mban 4.650 palestinezë në burgjet e tij, përfshirë 39 gra, 180 fëmijë dhe rreth 500 të arrestuar administrativë.