Bota

Forumi Global në Baku, Begaj takohet me presidentin e Azerbajxhanit

Presidenti Begaj po viziton Azerbajxhanin në kuadër të Forumit Global Baku 2025, ndërkohë është takuar me homologun e tij Ilham Aliyev

Fatjon Cuka  | 13.03.2025 - Përdıtësım : 13.03.2025
Forumi Global në Baku, Begaj takohet me presidentin e Azerbajxhanit Foto: Presidenca e Shqipërisë

Tiranë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka zhvilluar në Baku një takim me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, transmeton Anadolu.

Presidenti Bagaj po viziton Azerbajxhanin në kuadër të Forumit Global Baku 2025.

Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se takimi u përqendrua në forcimin e marrëdhënieve intensive dypalëshe në vazhdën e shkëmbimit të vizitave të mëparshme zyrtare.

Sipas njoftimit, Begaj vlerësoi si shumë të mirë bashkëpunimin politik midis dy vendeve, si dhe forcimin e marrëdhënieve ekonomike.

"Energjia dhe turizmi mbeten prioritetet kryesore në këtë bashkëpunim, për të cilin presidenti Begaj shprehu interesin e Shqipërisë për të avancuar me nismat që sjellin përfitime të prekshme për ekonomitë e dy vendeve. Gjithashtu, u theksua se hapja e ambasadave respektive në Tiranë dhe Baku i shërben këtij qëllimi", theksohet në njoftim.

Gjithashtu thuhet se Begaj theksoi se vlerëson mbështetjen e vazhdueshme të Azerbajxhanit për projektet lokale që lidhen drejtpërdrejt me gazsjellësin TAP.

Forumi Global Baku 2025 këtë vit trajton çështjen e titulluar “Rishikimi i rendit botëror: Shndërrimi i sfidave në mundësi” dhe në fjalimin tij Begaj bëri apel për bashkëpunim aktiv rajonal e ndërkombëtar.

“Ne kemi nevojë për një rend botëror ku ekonomitë janë të qëndrueshme, ku konfliktet nuk mbahen të ngrira, por zgjidhen, ku shoqëritë forcohen jo nga ndarja, por nga solidariteti, ku paqja ndërtohet e konsolidohet mbi baza besimi e bashkëpunimi. Ne kemi nevojë për guxim dhe vizion të qartë për paqen, për sigurinë, për rritjen ekonomike, për politika që ndryshojnë realisht jetët e qytetarëve tanë”, është shprehur Begaj.

Sipas Presidencës së Shqipërisë, Begaj ka theksuar se lufta në Ukrainë apo konflikte të tjera kanë cenuar ndjeshëm sigurinë, “ndërsa shprehu nevojën për rikthimin e paqes”.

“Bota sot nuk po përballet thjesht me një krizë politike apo një rënie ekonomike. Ajo sot gjendet në udhëkryqin e mbrojtjes së vlerave që ne çmojmë. Liria, demokracia, dinjiteti njerëzor, drejtësia dhe siguria po vihen në provë. Ato po testohen nga konfliktet, nga kërcënimet hibride, nga krimi i organizuar, nga imigracioni, nga keqinformimi, nga tundimi për t’u imponuar me forcë e nëpërmjet frikës”, është shprehur Begaj.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın