Francë, propozim-ligji për ndalesën e shamisë në sport përballet me kritika
Organizata e Studentëve Muslimanë të Francës (EMF) e përshkroi propozimin si "racist, islamofobik dhe seksist"

Istanbul
Propozim-ligji francez që ndalon shaminë në sport është përballur me kritika dhe reagime nga Organizata e Studentëve Muslimanë të Francës (EMF), raporton Anadolu.
EMF, një organizatë studentore mbarëkombëtare, e përshkroi propozimin si "racist, islamofobik dhe seksist", duke argumentuar në një deklaratë në X se ai minon parimet e barazisë.
Këtë javë, Senati francez do të debatojë dhe vendosë në votim një propozim-ligj që synon të zgjerojë ndalimin e simboleve fetare, përfshirë shamitë, në të gjitha garat sportive në Francë.
"Nën maskën e mbrojtjes së shtetësisë dhe rendit publik, propozimi në fakt krijon nënqytetarë", tha EMF, duke shtuar se sporti po përdoret gjithnjë e më shumë si një skenë për diskriminim.
Organizata theksoi nevojën urgjente të kundërshtohet "politika e kontrollit dhe sanksioneve" që në mënyrë të veçantë ka në shënjestër muslimanët.
EMF e karakterizoi propozim-ligjin, të prezantuar vitin e kaluar nga politikani konservator Michel Savin, si "një fantazi separatizmi" në sport që mbështetet në "shifra të paqarta dhe margjinale" për të prodhuar një "problem publik".
"Hapësira publike nuk duhet të bëhet një vend përjashtimi", shtoi EMF, duke theksuar se sporti duhet të jetë i hapur për të gjithë.
Përveç ndalimit të shamisë, propozim-ligji kërkon gjithashtu të ndalojë lutjet kolektive në objektet sportive të financuara nga publiku.
Dje, Amnesty International u kërkoi gjithashtu ligjvënësve francezë të kundërshtojnë propozimin.
Një përpjekje e mëparshme në vitin 2022 për të ndaluar veshjet fetare në sport u refuzua nga Senati francez.
Edhe nëse senatorët mbështesin propozimin këtë javë, ai duhet të miratohet nga dhoma e ulët e Parlamentit francez për të hyrë në fuqi.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.