Evren Aydemir
07 Nëntor 2017•Përditësim: 07 Nëntor 2017
BERLIN (AA) - Gjermania dhe Franca planifikojnë që të shtrëngojnë procesin e vizave, për shtetet që nuk bashkëpunojnë për kthimin e migrantëve të dëbuar nga këto dy shtete, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Punëve të Brendshme i Gjermanisë, Thomas de Maiziere, sot në Berlin u takua me ministrin e Brendshëm të Francës, Gerard Collomb, me të cilin diskutuan për politikat e migrimit.
Ministri Maiziere në një konferencë të përbashkët për mediat pas takimit, tha se shtetet prej nga vijnë personat të cilët janë dëbuar jashtë kufijve të Gjermanisë dhe të Francës, duhet të binden për rikthimin e këtyre personave dhe se për këtë duhet të përdoren të gjitha mundësitë e politikave të brendshme, të zhvillimit dhe të vizave.
Maiziere theksoi se BE po realizon sidomos takime me përfaqësuesit e qeverisë së Bangladeshit për rikthimin e refugjatëve nga Bangladeshi të cilët kanë shkuar në Itali nëpërmjet rrugëve detare. Ministri francez tha se dëshirojnë që t’i harmonizojnë politikat e tyre të migrimit dhe të azilkërkimit me ato të Gjermanisë.
Kurse zv/ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Michael Roth, tha se Gjermania dhe Franca duhet të tregojnë përpjekje për të qenë te suksesshme në çështjet e migrimit dhe harmonizimit të politikave ndaj të huajve.