Fatma Bülbül
28 Qershor 2017•Përditësim: 28 Qershor 2017
PARIS (AA) – Presidentët e Francës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë pajtuar për një përgjigje të përbashkët në qoftë se qeveria siriane ndërmerr një tjetër sulm kimik në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim të lëshuar nga pallati Elysee thuhet se Emmanuel Macron dhe Donald Trump kanë bashkëbiseduar përmes telefonit, ku kanë rënë dakord për një bashkëveprim në Siri.
Në një deklaratë të hënën, Shtëpia e Bardhë tha se kishte zbuluar shenja "potenciale" për përgatitjen e një sulmi kimik të ngjashëm me atë të 4 prillit, për të cilin administrata Trump fajësoi Damaskun zyrtar.
Shtëpia e Bardhë nga ana e saj ka thënë se “nëse forcat e Bashar al-Assadit kryejnë një tjetër sulm kimik, atëherë ai dhe ushtria e tij do të paguajnë një çmim të shtrenjtë”.
Në maj të këtij viti, Macron paralajmëroi gjithashtu se përdorimi i armëve kimike është shkelje e "vijës së kuqe" dhe kjo do të shkaktonte një hakmarrje nga Franca.
Ai shtoi se çdo përdorim i armëve kimike do të ndiqet nga një përgjigje e menjëhershme, të paktën nga Franca.