Necva Taştan Sevinç
04 gusht 2026•Përditësim: 04 gusht 2026
Franca ka forcuar kontrollet përgjatë kufirit të saj me Spanjën pas mbërritjes masive të migrantëve në Ceuta, tha ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, transmeton Anadolu.
Masa u vendos gjatë fundjavës me kërkesë të presidentit Emmanuel Macron, pasi rreth 72 mijë persona kaluan në enklavën spanjolle në Afrikën e Veriut të enjten dhe të premten.
Madridi tha se "pothuajse të gjithë" ata që hynë në Ceuta janë kthyer tashmë në Marok. Autoritetet spanjolle raportuan një bilanc paraprak prej të paktën 75 të vdekurish.
Nunez foli pas një video-konference urgjente me homologët e tij evropianë për të diskutuar krizën.
"Të gjitha shtetet anëtare, pa përjashtim, kanë shprehur solidaritetin e tyre me Spanjën", tha ai duke shtuar se Franca mbetet e gatshme të ofrojë ndihmë të mëtejshme përmes agjencisë së BE-së për mbrojtjen e kufijve, Frontex.
"U rikujtua se enklava e Ceutës i nënshtrohet rregullave të veçanta brenda zonës Schengen, pasi aty zbatohen kontrolle shumë të rrepta", tha ai duke shtuar: "Të gjitha shtetet e kanë pranuar se nuk ka pasur depërtim në territorin kontinental".
Ai gjithashtu vlerësoi bashkëpunimin mes Spanjës dhe Marokut gjatë krizës.
Nunez hodhi poshtë thirrjet e së djathtës dhe të ekstremit të djathtë në Francë për përjashtimin e Spanjës nga zona e lëvizjes së lirë Schengen, duke thënë se shtetet anëtare ranë dakord se Schengeni "nuk është problemi", por "përkundrazi është zgjidhja".
"Zona Schengen nuk ka qenë asnjëherë në rrezik, madje as minimalisht", theksoi ai.
Franca gjithashtu njoftoi forcimin e kontrolleve përgjatë kufirit të saj me Italinë, si pjesë e përpjekjeve më të gjera kundër migracionit të parregullt.