"Franca ka mbajtur stërvitje me skenarin për dërgimin e ushtarëve në Ukrainë"
Raportohet se 3.200 trupa të Komandës së Operacioneve Speciale Tokësore të Ushtrisë së Francës (CAST) kanë kryer stërvitje mbi skenarin e dërgimit të trupave në Ukrainë në rast se Rusia shënon një avancim të mundshëm përmes Bjellorusisë
Paris
Pretendohet se Franca në vjeshtë ka mbajtur një stërvitje të fshehtë lidhur me skenarin për dërgimin e ushtarëve në Ukrainë, transmeton Anadolu.
Në lajmin e faqes së internetit Intelligence Online pretendohet se një personel prej 3.200 trupash i Komandës së Operacioneve Speciale Tokësore të Ushtrisë së Francës (CAST) kanë kryer stërvitje mbi skenarin e dërgimit të trupave në Ukrainë në rast se Rusia shënon një avancim të mundshëm përmes Bjellorusisë.
Në lajm theksohet se stërvitja e fshehtë e emërtuar "Persee" u mbajt në një zonë të ngjashme me kthesën e lumit Dnieper të Ukrainës.
"Në stërvitjen që ka zgjatur një javë u punua mbi manovrat ushtarake që ushtria ukrainase përdori në shkurt 2022 për të ndaluar përparimin e ushtrisë ruse", thuhet në lajm dhe bëhet e ditur se gjatë stërvitjes u përdorën dronët francezë dhe kinezë.
Gjithashtu pretendohet se disa pjesëmarrës u befasuan nga përdorimi i gjerë i dronëve kinezë në misione të tilla të ndjeshme.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, vitin e kaluar deklaroi se "dërgimi i ushtarëve në Ukrainë nuk përjashtohet".
Edhe në lajmin e gazetës Le Monde në nëntor 2024 u pretendua se Franca dhe Britania kanë vlerësuar sërish alternativën për dërgimin e trupave ushtarake në Ukrainën e cila lufton kundër Rusisë.
Gazeta edhe javën e kaluar ndau një lajm ku theksohej se Macron dhe kryeministri britanik, Keir Starmer, diskutuan sërish mundësinë e dërgimit të ushtarëve evropianë në territoret e Ukrainës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.