Ekip
14 Mars 2020•Përditësim: 14 Mars 2020
Në Francë janë raportouar 3.661 raste me koronavirusin e ri (COVID-19) dhe 79 vdekje deri në orët e mbrëmshme të së premtes, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti francez Emmanuel Macron iu drejtua vendit të enjten dhe tha se të gjitha shkollat dhe universitetet do të mbyllen të hënën deri në njoftimin e mëtejshëm.
Ky ishte hapi i fundit në përpjekjen për të parandaluar përhapjen e virusit të njohur si COVID-19 që ka kapluar botën dhe ka shënuar rritje të shpejtë të rasteve dhe vdekjeve në Evropë gjatë dy javëve të fundit.
Në gjithë botën, numri i rasteve të raportuara qëndron në rreth 145.000, me mbi 5.000 të vdekur.
Së bashku me rritjen e masave paraprake, institucionet publike po mbyllin dyert, duke ndjekur rekomandimet.
Institucionet më të mëdha kulturore në Francë u mbyllën të premten deri në njoftimin e mëtejshëm: Muzeu më i vizituar në botë, Louvre, mbylli përkohësisht dyert, ndërkaq u mbyll edhe muzeu kryesor i artit modern të Francës, Qendra Pompidou. Kulla Eifel është e mbyllur për vizitorët, kurse një pjesë e Chateau du Versailles jashtë Parisit ka lënë të hapur vetëm parkun e saj dhe një pjesë të kopshteve të saj.
Po ashtu edhe qendrat artistike janë të mbyllura: Teatri Odeon, në të cilin shfaqet "Glass Menagerie" me rolin e Isabelle Huppert, ka anuluar shfaqjet, siç ka anuliuar edhe Teatri des Champs Elysees deri më 19 prill. Opera e Parisit ka anuluar të gjitha shfaqjet e baletit dhe operës, siç ka edhe anuluar edhe "Comedie Francaise".
Në sport, Liga Profesionale e Futbollit pezulloi të gjitha ndeshjet në Francë deri në njoftimin e mëtejshëm, ndërsa lojtarët shprehnin shqetësimet nga kontakti lojtar-lojtar.
Vendimi erdhi pas një takimi urgjent të premten, duke rrëzuar vendimin e mëparshëm, i cili thoshte se ndeshjet do të zhvilloheshin pa praninë e spektatorëve deri në mes të prillit.