Bekim Laci
19 Prill 2016•Përditësim: 20 Prill 2016
SHKUP (AA) - Marrëveshja BE-Turqi, e shoqëruar me politika më të rrepta të sigurimit të kufijve nga ana e Maqedonisë në kufijtë e saj me Greqinë dhe operacioni i NATO-s në Detin Egje ka rezultuar në muajin mars me një reduktim të konsiderueshëm në numrit të emigrantëve të cilët arrijnë në ishujt grek, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç thuhet në kumtesën e Agjencisë Evropiane për Menaxhim të Bashkëpunimit Operues të Kufijve të Jashtëm (FRONTEX), totali i emigrantëve të cilët janë parë të kalojnë kufijtë e jashtëm BE-së në Mesdheun Lindor gjatë tërë muajit mars ka aritur në 26 mijë e 460, që është gjysma e atyre nga një muaj më herët.
“Në përputhje me marrëveshjen BE-Turqi miratuar nga Këshilli i Evropës më 17/18 Mars, Greqia tha se do të kthejë në Turqi emigrantët të cilët arrijnë në ishujt e saj pas datës 20 mars. Rreth 3 mijë e 500 emigrantë kanë arritur në Greqi në 11 ditët e fundit të muajit mars. Ky numër lidhet me shifrat prej 22 mijë e 900 njerëz të cilët janë zbuluar të kenë kaluar ilegalisht kufijtë në ishujt grek dhe në pjesën tjetër të rrugës së Mesdheut mes datave 1 dhe 20 mars”, thuhet mes tjerash në njoftimin e FRONTEX-it.