Fëmijë të vrarë në sulmet e reja izraelite në Gaza
Ushtria izraelite sulmoi Rripin e Gazës herët të martën, duke vrarë të paktën 404 persona, duke plagosur qindra dhe duke thyer marrëveshjen e armëpushimit që hyri në fuqi më 19 janar

Gaza/Istanbul
Më shumë se 12 persona, përfshirë fëmijë, u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në sulmet e reja ajrore izraelite në Rripin e Gazës sot, transmeton Anadolu.
Një burim mjekësor tha se fëmijë gjenden në mesin e gjashtë palestinezëve që humbën jetën kur një avion luftarak izraelit goditi një automjet në lagjen Al-Salateen në veri të Gazës.
Gjashtë persona të tjerë u vranë në një sulm tjetër në një shtëpi në kampin e refugjatëve Nuseirat në Gazën qendrore, shtoi burimi.
Burimet lokale thanë se pesë persona u plagosën në një sulm ajror izraelit ndaj një makine në perëndim të Qytetit të Gazës.
Të lënduar u raportuan gjithashtu në një sulm ajror që synoi një grup civilësh jashtë një spitali në perëndim të Qytetit të Gazës, sipas zëdhënësit të mbrojtjes civile Mahmoud Basal.
Ushtria izraelite sulmoi Rripin e Gazës herët të martën, duke vrarë të paktën 404 persona, duke plagosur qindra dhe duke thyer marrëveshjen e armëpushimit që hyri në fuqi më 19 janar.
Pamjet e dala nga Gaza tregojnë se shumica e viktimave ishin civilë, duke përfshirë gra dhe fëmijë, shtëpitë e të cilëve u bombarduan gjatë natës.
Më shumë se 48.500 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe mbi 112.000 të tjerë janë plagosur në një fushatë brutale ushtarake izraelite në Gaza që nga tetori i vitit 2023.
Në nëntor 2024, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti për kryeministrin Benjamin Netanyahun dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.