Adem Şalvarcıoğlu
25 Tetor 2018•Përditësim: 25 Tetor 2018
ANKARA (AA) - Gazetari japonez, Jumpei Yasuda, i cili u lirua pasi ishte mbajtur peng tre vite në Siri, ka arritur në vendin e tij, transmeton Anadolu Agency (AA).
Yasuda i cili dje ishte nisur nga Turqia sot ka arritur në kryeqytetin Tokjo të Japonisë.
Ai dha deklarata për televizionin japonez NHK gjatë udhëtimit të tij. "Jam shumë i lumtur se jam i lirë, por jam pak i shqetësuar se çfarë do të ndodhë dhe se çfarë duhet të bëjë pas kësaj", tha ai.
Yasuda kohën që ishte mbajtur peng e vlerësoi me fjalët "si ferr" edhe fizikisht, por edhe psikologjikisht.
"U mbajta në një qelizë të vogël dhe u torturova. Nuk më lejuan që të lahem 8 muaj", u shpreh Yasuda.
"Mendoja se asnjëherë nuk do të kthehem në shtëpi. Ky mendim ma dëmtoi psikologjinë dhe kam vështirësi që ta kontrollojë veten", tha ai duke treguar se çdo ditë e kaluar ka humbur shpresën për t'u kthyer në shtëpi.
Ndërsa për televizionin TBS tha se ka përjetuar frikë, për vrasje dhe mos shpëtim nga situata që ishte peng.
Jumpei Yasuda, 44 vjeç, në vitin 2015 kishte hyrë ilegalisht në Siri, ndërsa ishte marrë peng nga organizata terroriste Al Kaeda.