Gjermani, Bavaria shqyrton shpalljen e orës policore nga koronavirusi
Kryeministri i Bavarisë, Markus Soeder, ka kritikuar njerëzit që injorojnë paralajmërimet për të mos u shoqëruar dhe që kanë vazhduar me festa dhe tubime
Berlin
Shteti juglindor i Gjermanisë, Bavaria, ka paralajmëruar qytetarët se mund të zbatohet orë policore në ditët në vijim, nëse masat aktuale për të zvogëluar përhapjen e koronavirusit nuk ndiqen nga të gjithë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri i Bavarisë, Markus Soeder, ka kritikuar qytetarët që injorojnë paralajmërimet për të mos u shoqëruar dhe që kanë vazhduar me festa dhe tubime përkundër shqetësimeve për përhapjen e sëmundjes së koronavirusit.
"Nëse shumë njerëz nuk do të kufizonin vullnetarisht kontaktet e tyre sociale, atëherë i vetmi instrument i mbetur do të ishte shpallja e një ore policore mbarëkombëtare në Bavari. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë", tha ai në një fjalim televiziv në parlamentin e shtetit bavarez në Mynih.
Vërejtjet e tij erdhën pas raportimeve se policia duhej të shpërndante disa të ashtuquajtura "korona-festa" në disa qytete ku morën pjesë qindra të rinj.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel mbrëmë iu drejtua qytetarëve duke thënë se vendi po përballet me "sfidën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore" për shkak të shpërthimit të koronavirusit dhe u bëri thirrje atyre që të ndiqnin masat për të ngadalësuar përhapjen e virusit.
Qeveria nga e hëna njoftoi se të gjitha dyqanet, kafenetë dhe vendet sportive në të gjithë vendin do të mbyllen për të penguar përhapjen e koronavirusit, i njohur gjithashtu si Covid-19.
Gjermania është vendi i tretë i prekur nga koronavirusi në Evropë, pas Italisë dhe Spanjës.
Deri më sot, numri i rasteve të konfirmuara të koronavirusit në vend u rrit në 13.097.
Sipas deklaratave të autoriteteve lokale shëndetësore, numri i rasteve të vdekjes nga koronavirusi ka arritur në 31.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shpallur Evropën epiqendër të re të virusit, pasi fillimisht shpalli qytetin kinez Wuhan, ku për herë të parë u shfaq koronavirusi dhjetorin e kaluar.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.