Politikë, Bota

Gjermani do të "shqyrtojë me kujdes" urdhërarrestet e gjykatës në Hagë për Netanyahu-n dhe Gallant-in

Megjthatë, Hebestreit po ashtu theksoi "marrëdhënien unike dhe përgjegjësinë e madhe të Gjermanisë ndaj Izraelit" si pasojë e historisë gjermane. Ai sugjeroi se kjo do të ndikonte në çdo proces të vendimmarrjes

Oliver Towfigh Nia  | 22.11.2024 - Përdıtësım : 22.11.2024
Gjermani do të "shqyrtojë me kujdes" urdhërarrestet e gjykatës në Hagë për Netanyahu-n dhe Gallant-in

Berlin

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, ka deklaruar se vendi i tij do të "shqyrtojë me kujdes hapat e brendshme" pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për lëshimin e urdhërarresteve ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, transmeton Anadolu.

"Veprime të mëtejshme do të konsiderohen vetëm nëse kryeministri Benjamin Netanyahu dhe ish-ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant do të planifikonin një vizitë në Gjermani", tha Hebestreit.

Ai shtoi se qeveria gjermane ka marrë parasysh vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, duke theksuar rolin e Gjermanisë si një nga mbështetësit kryesor të gjykatës në Hagë dhe për përfshirjen e saj në hartimin e statutit të kësaj gjykate.

Megjthatë, Hebestreit po ashtu theksoi "marrëdhënien unike dhe përgjegjësinë e madhe të Gjermanisë ndaj Izraelit" si pasojë e historisë gjermane. Ai sugjeroi se kjo do të ndikonte në çdo proces të vendimmarrjes.

Dje, gjykata me bazë në Hagë njoftoi urdhërarrestet për Netanyahu-n dhe Gallant-in "për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera nga të paktën 8 tetori i vitit 2023 deri të paktën më 20 maj të vitit 2024", kur prokurori i gjykatës Karim Khan kërkoi urdhërarrestet.

Urdhërarrestet vijnë pasi ofensiva gjenocidale e Izraelit në Rripin e Gazës së fundmi hyri në vitin e saj të dytë, duke vrarë deri më tani të paktën 44 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Sulmi izraelit ka zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë e territorit mes një bllokade të vazhdueshme dhe të qëllimshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, duke e shtyrë popullatën në prag të urisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.