Associated Press
27 Dhjetor 2016•Përditësim: 28 Dhjetor 2016
BERLIN (AA) - Politikanë të lartë gjermanë janë shprehur për mbetjen në fuqi të ligjit për kontrolle kufitare, që u votua vitin e kaluar në vazhdën e fluksit të refugjatëve, edhe pas shkurtit, për kur është paraparë shfuqizimi i tij, raporton Anadolu Agency (AA).
Zgjedhjet të cilat janë paraparë të mbahen në shtator të vitit të ardhshëm si dhe sulmi i fundit që ndodhi në Berlin nga i cili liderët gjerman synojnë të marrin mësim, lënë shumë pak për të shpresuar se kontrolli kufitar do të hiqet.
Zëdhënësi i kancelares gjermane Angela Merkel për politikë të brendshme, Stephan Mayer, për radion "Deutschlandfunk" tha të martën se “për sa kohë që rreziku dhe kërcënimi është i nivelit të tanishëm, ne nuk mund të bëjmë asgjë tjetër pos të mbajmë kontrollet e brendshme kufitare".
Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere deklaroi për gazetën "Bild am Sonntag" se synon të mbajë kontrollet kufitare "shumë më gjatë se sa shkurti”.
Për të realizuar këto qëllime, zyrtarëve gjermanë do t'u nevojitet miratim nga Komisioni Ekzekutiv i Bashkimit Evropian.