Bota

Gjermania bën thirrje për t'u dhënë fund aktiviteteve të grupit terrorist PKK në Siri

"Siria nuk duhet të përdoret si zonë operacionesh për PKK-në për të kryer sulme kundër Türkiyes", tha koordinatori gjerman për Sirinë, Tobias Lindner

Ayhan Şimşek  | 14.01.2025 - Përdıtësım : 14.01.2025
Gjermania bën thirrje për t'u dhënë fund aktiviteteve të grupit terrorist PKK në Siri

Berlin

Gjermania bëri thirrje që t'u jepet fund aktiviteteve të grupit terrorist PKK në Siri, duke theksuar se territori sirian nuk duhet të përbëjë kërcënim për sigurinë e Türkiyes, transmeton Anadolu.

Koordinatori gjerman për Sirinë, Tobias Lindner, tha për mediat lokale se Berlini i kupton interesat legjitime të sigurisë së Türkiyes dhe shpreson që shqetësimet e Ankarasë të adresohen përmes dialogut politik.

"Dua ta bëj shumë të qartë: PKK është një organizatë terroriste, gjithashtu nga këndvështrimi i Gjermanisë, dhe militantët e PKK-së në veri të Sirisë duhet të kuptojnë se ne jemi tani në një situatë të ndryshme nga ajo para rënies së Bashar Asadit", tha Lindner për "Tabela Media".

"Siria nuk duhet të përdoret si zonë operacionesh për PKK-në për të kryer sulme kundër Türkiyes. Duhet të bëhet një dallim shumë i qartë midis PKK-së dhe kurdëve sirianë në veri", shtoi ai.

Diplomati gjerman tha se vendet perëndimore mbajnë dialog të vazhdueshëm me Ankaranë për zhvillimet në Siri.

"Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që Türkiye të veprojë në harmoni me ne, por nuk ka asnjë garanci për këtë", tha ai, kur u pyet për një operacion të mundshëm ushtarak turk kundër strukturave të PKK-së në Sirinë veriore.

Lindner tha se Berlini ndan pikëpamjen se të gjitha grupet e armatosura në Siri duhet të bashkohen me forcat e reja të sigurisë të qeverisë së Sirisë.

"Qëllimi duhet të jetë që të gjitha milicitë në Siri, jo vetëm ato kurde, të integrohen përfundimisht në forcat e armatosura siriane. Ne jemi duke punuar për këtë", tha Lindner, duke shtuar:

"Ajo që është e rëndësishme për ne tani është se ka një proces të rregullt dhe gjithëpërfshirës. Duhet të ketë hapa dhe etapa të verifikueshme, një pikë e rëndësishme këtu është çështja e pjesëmarrjes së grave. Dhe kurdët, druzët, alavitët dhe të krishterët, si të gjithë sirianët e tjerë, gjithashtu duhet ta shohin veten në këtë proces".

Diplomati gjerman theksoi gjithashtu integritetin territorial të Sirisë dhe tha se të gjithë aktorët rajonalë, përfshirë Izraelin, pritet të respektojnë këto kufij.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın