Erbil Başay
03 mars 2023•Përditësim: 06 mars 2023
Gjermania dëshiron të blejë tanke kryesore luftarake "Leopard 2", të cilat më parë ia kishte shitur Zvicrës, transmeton Anadolu.
Sipas mediave gjermane, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Zvicrës, Renato Kalbermatten tha se ka pasur kërkesë se Gjermania dëshiron të blejë tanke "Leopard 2". Ai tha se Zvicra posedon 230 tanke "Leopard 2" dhe se 134 nga këta janë në "detyrë" ndërsa 96 tjera janë përkohësisht jashtë përdorimit.
Kalbermatten, i cili nuk dha informacione se sa tanke dëshiron të blejë Gjermania, deklaroi se ligji zviceran lejon shitjen e automjeteve të dekompozuara.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Gjermanisë, Arne Collatz konfirmoi se një kërkesë e tillë i është dërguar Zvicrës me letër në konferencën për media të mbajtur në Berlin. Ai tha se do të ishte i kënaqur nëse Zvicra do të vlerësonte shitjen e tankeve në flotën e saj të cilat janë jashtë përdorimit.
Duke u shprehur se çështjet lidhur me numrin nuk u diskutuan, Collatz theksoi se tanket në fjalë "Leopard 2" nuk do të dërgohen në Ukrainë.
I pyetur se "Si mund t'i garantojë konkretisht ushtria gjermane Zvicrës se këto tanke nuk do t'i dorëzohen Ukrainës?", Collatz tha: "Ka marrëveshje kontraktuale ekzistuese"
Gazeta "Neuer Züricher Zeitung" shkroi se Zvicra mund të mos ia shesë tanket direkt shtetit gjerman, por kompanisë Rheinmetall që prodhon tanket.
Në lajm u tha se Rheinmetall mund t'i shesë këto tanke në vendet në nevojë të Evropës dhe kështu thuhet se boshllëqet në stoqet e vendeve të Bashkimit Evropian (BE) që furnizojnë Ukrainën me tanke "Leopard" mund të plotësohen.
Më tej thuhet se do të ishte "në parim e mundur" që Ministria e Mbrojtjes e Zvicrës të heqë dorë nga një numër i kufizuar tankesh kryesore luftarake dhe se për këtë kërkohej vetëm miratimi i Parlamentit.
Gjermania njoftoi më parë se do të furnizonte Ukrainën me gjithsej 18 tanke kryesore luftarake të tipit "Leopard 2" A6.