Emin Avundukluoğlu
01 Dhjetor 2015•Përditësim: 01 Dhjetor 2015
BERLIN (AA) - Ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë Ursula von der Leyen tha se në Siri nuk do të ketë të ardhme me Asadin dhe gjithashtu nuk do të krijohet një partneritet me asnjë forcë ushtarake që ndodhet nën administrimin e forcave të regjimit, raporton Anadolu Agency (AA).
Qeveria gjermane në takimin e Këshillit të ministrave ka nënshkruar një memorandum për dërgimin e ndihmës ushtarake për të luftuar DAESH-in në Siri.
Von der Leyen në lidhje me çështjen duke iu përgjigjur pyetjeve në kanalin televiziv gjerman N24 theksoi se dërgimi i ndihmës ushtarake në Siri është një vendim "i vështirë, por i nevojshëm". Ajo vuri në dukje vendosmërinë për të parandaluar aktet e DAESH-it dhe për të neutralizuar organizatën terroriste.
Von der Leyen tha mes tjerash se të gjithë janë në të njëjtin mendim për të luftuar ushtarikisht DAESH-in dhe se nuk do të zhvillohen negociata me këtë organizatë terroriste.
"Kundër DAESH-it duhet të zhvillohet edhe luftë ideologjike. Kjo është detyra kryesore e botës arabe muslimane. Së fundmi duhet të parashtrojmë këtë pyetje: Rrënjësimi i urrejtjes nuk ndodhë vetëm në Siri, Irak apo në botën arabe muslimane, përkundrazi ndodhet edhe tek ne", deklaroi ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen.
Ai potencoi se dëshiron të shprehet qartë se në Siri nuk do të ketë të ardhme me Asadin dhe gjithashtu nuk do të krijohet një partneritet me asnjë force ushtarake që ndodhet nën administrimin e forcave të regjimit.
"Këta njerëz i kanë duart e përlyera me gjak. Asadi një ditë do të japë llogari për krimet e bëra. Ka bombarduar popullin e tij me bomba, ka përdorur gazra helmuese", tha ministrja gjermane.
Memorandumi i cili përcakton afatin një vjeçar të personelit që do të jetë përgjegjës për avionët zbulues Tornado, dy anijet luftarake dhe për një avion furnizues që do jenë me mision në Siri pritet të miratohet nga Bundestagu gjerman të premten.