Ekip
26 Prill 2021•Përditësim: 27 Prill 2021
Mes tensioneve në rritje për stërvitjet ushtarake të Moskës, Gjermania i ka quajtur "shumë problematike" planet e raportuara ruse për të bllokuar pjesë të Detit të Zi, të cilat së fundi mund të ndikojnë në hyrjen në portet e Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zv/zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Christofer Burger, gazetarëve në Berlin u tha se "kufizimet në të ashtuquajturën kalim paqësor nëpër ujërat bregdetare për një periudhë kaq të gjatë kohore janë të papara dhe shumë problematike sipas ligjit ndërkombëtar".
"Dhe, për sa u përket ujërave ndërkombëtar dhe ujërave bregdetar të Krimesë së aneksuar, ne e shohim këtë si në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar", shtoi Burger.
Rusia, e cila mbështet separistët në Ukrainën lindore, aneksoi Krimenë në vitin 2014.
Media shtetërore ruse njoftoi se Moska synon të mbyllë pjesë të Detit të Zi për anijet e huaja ushtarake dhe zyrtare për gjashtë muaj, gjë që mund të ndikojë në hyrjen në portet ukrainase në Detin Azov, i cili është i lidhur me Detin e Zi përmes ngushticës Kerç.
Duke cituar një deklaratë nga flota e Rusisë në Detin e Zi, agjencia e lajmeve 'Interfax' raportoi se në fillim të këtij muaji mbi 20 anije luftarake ruse kryen stërvitje ushtarake në Detin e Zi.
Rusia ka kufizuar përkohësisht lëvizjen e anijeve të huaja luftarake dhe, siç theksohet, "anijeve të tjera shtetërore" pranë Krimesë.
Në javët e fundit, mes frikës se Moska mund të planifikojë të pushtojë Ukrainën lindore, Gjermania dhe aleatët e saj të Bashkimit Evropian (BE) vazhdimisht kanë shprehur shqetësime kur bëhet fjalë për ndërtimin ushtarak të Rusisë.