Gjermania premton mbështetje për hetimin e krimeve të regjimit të Asadit në Siri
"Në javët pas rënies së regjimit mizor të Asadit, hetimi i shkeljeve serioze të të drejtave të njeriut në Siri mbetet vendimtar për pajtimin dhe fillimin e ri të vendit", tha Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë
Berlin
Gjermania ka njoftuar mbështetjen e saj për përpjekjet e udhëhequra nga Kombet e Bashkuara (OKB) për të ndihmuar në hetimin dhe ndjekjen penale të zyrtarëve të regjimit të Bashar Asadit përgjegjës për krimet e luftës dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në Siri, transmeton Anadolu.
"Në javët pas rënies së regjimit mizor të Asadit, hetimi i shkeljeve serioze të të drejtave të njeriut në Siri mbetet vendimtar për pajtimin dhe fillimin e ri të vendit", tha Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë.
Dje, Tobias Lindner, koordinatori i Gjermanisë për Sirinë dhe ministër i Shtetit në Zyrën e Jashtme Federale, u takua me kreun e Mekanizmit Ndërkombëtar, të Paanshëm dhe të Pavarur (IIIM) të OKB-së, Robert Petit, për të diskutuar forcimin e mbështetjes së përpjekjeve të llogaridhënies në Siri.
"Gjermania e ka mbështetur IIIM-në që nga fillimi i saj dhe falë punës së përpiktë të IIIM-së gjyqësori gjerman ka mundur të ndjekë penalisht shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut nga regjimi i Asadit në Gjermani në përputhje me parimin e juridiksionit universal. Një milion euro tani do të vihen në dispozicion në një afat të shkurtër nga buxheti i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë për të forcuar më tej punën e IIIM-së", tha ministria gjermane.
Në njoftim gjithashtu theksohet se ndëshkimi i krimeve të kryera nga zyrtarët e regjimit të Asadit duhet të bëhet nën udhëheqjen siriane.
IIIM - Siria u krijua në dhjetor të vitit 2016 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së për të ndihmuar në hetimin dhe ndjekjen penale të personave përgjegjës për krimet më të rënda sipas ligjit ndërkombëtar të kryera në Siri që nga marsi i vitit 2011.
Ajo mbledh, ruan dhe analizon informacionin dhe provat. Më pas, ajo ndan materiale dhe produkte analitike, sipas kërkesës ose në mënyrë proaktive me juridiksionet kompetente, të lidhura me hetimet në vazhdim.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.