Erbil Başay
30 Qershor 2021•Përditësim: 30 Qershor 2021
Gjermania ka përfunduar tërheqjen e kontingjentit të saj të fundit të trupave nga Afganistani, njoftoi ministrja gjermane e Mbrojtjes, raporton Anadolu Agency (AA).
Annegret Kramp-Karrenbauer shkroi në Twitter se trupat e fundit gjermane ishin larguar në mënyrë të sigurt nga Afganistani, duke shtuar se "pas 20 vjetësh, misioni ynë më intensiv jashtë shtetit ka përfunduar".
Ajo falënderoi më shumë se 150.000 ushtarët gjermanë që kanë shërbyer në Afganistan që nga viti 2001, duke thënë se ata "kanë kryer të gjitha detyrat e dhëna nga Bundestagu në Afganistan. Ju mund të jeni krenar për këtë mision".
Ushtarët e fundit gjermanë të cilët ishin vendosur në vendin e Azisë Jugore ishin në rrugën e tyre për në Gjermani përmes Tbilisit dhe planifikohet nesër të mbërrijnë në vend, thuhet në deklaratën e ushtrisë gjermane.
Deklarata thekson se trupat kishin përfunduar misionin e NATO-s në Afganistan.
Ushtarët gjermanë kanë qenë në Afganistan që nga viti 2001 si pjesë e Forcave Ndërkombëtare të Mbështetjes së Sigurisë (ISAF) dhe misionit pasues të Mbështetjes së Vendosur.
Gjithsej 59 ushtarë gjermanë u vranë gjatë misionit.
Rreth 1.100 ushtarë gjermanë ishin në Afganistan si pjesë e Mbështetjes së Vendosur.
SHBA-ja tha se do të fillonte tërheqjen e forcave të saj nga Afganistani, të cilat u vendosen rreth 20 vjet më parë, që nga 1 maji dhe se tërheqja do të përfundonte deri në 20-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Qendrën Botërore të Tregtisë dhe Pentagon.