Gjigantët amerikanë të teknologjisë bashkërisht do të investojnë deri në 500 miliardë dollarë në IA
OpenAI, Oracle dhe SoftBank po bashkohen për të krijuar kompaninë Stargate Project, biznesmeni Elon Musk, një aleat kryesor i presidentit të ri të SHBA-së, Donald Trump kritikon projektin

Istanbul
Gjigantët amerikanë të teknologjisë si OpenAI, Oracle dhe SoftBank po bashkohen për të krijuar kompaninë Stargate Project, e cila do të investojë deri në 500 miliardë dollarë në infrastrukturën e inteligjencës artificiale (IA) në SHBA, raporton Anadolu.
Krijuesi i programit Chatgpt, OpenAI, përmes një njoftimi në X bëri të ditur se ata do të fillojnë duke investuar 100 miliardë dollarë menjëherë, duke shtuar: "Kjo infrastrukturë do të sigurojë që SHBA të jetë udhëheqëse në AI, do të krijojë qindra mijëra vende pune amerikane dhe do të gjenerojë përfitime masive ekonomike për të gjithë botën".
“Ky projekt jo vetëm që do të mbështesë ri-industrializimin e Shteteve të Bashkuara, por gjithashtu do të sigurojë një aftësi strategjike për të mbrojtur sigurinë kombëtare të Amerikës dhe aleatëve të saj”, shtoi ai.
MGX, SoftBank dhe OpenAI do të jenë partnerët kryesorë në Stargate, ku SoftBank do të ketë përgjegjësi financiare dhe OpenAI përgjegjësi operacionale. Masayoshi Son do të jetë kryetar, sipas deklaratës.
Arm, Microsoft, NVIDIA, Oracle dhe OpenAI do të jenë gjithashtu partnerët kryesorë të teknologjisë për këtë projekt.
"Ndërtimi është aktualisht duke u zhvilluar, duke filluar në Teksas, dhe ne po vlerësojmë vendet e mundshme në të gjithë vendin për më shumë kampuse teksa finalizojmë marrëveshjet përfundimtare", thuhet në deklaratë.
Për të zhvilluar dhe drejtuar sistemin e inteligjencës artificiale, kompanitë Oracle, NVIDIA dhe OpenAI do të punojnë së bashku. Ky relacion zgjerohet pas lidhjes së ngushtë të OpenAI me NVIDIA-n, e cila daton në vitin 2016, si dhe një bashkëpunimi të fundit me Oracle.
"Të gjithë ne presim me padurim të vazhdojmë të ndërtojmë dhe zhvillojmë inteligjencën artificiale, dhe në veçanti AGI (inteligjencën e përgjithshme artificiale), për të mirën e të gjithë njerëzimit. Ne besojmë se ky hap i ri është kritik dhe do t'u mundësojë njerëzve krijues të gjejnë mënyra se si të përdorin inteligjencën artificiale për të ngritur njerëzimin”, shtoi OpenAI.
Biznesmeni Elon Musk, një aleat kryesor i presidentit të ri të SHBA-së, Donald Trump, e kritikoi njoftimin, duke thënë: "Ata në fakt nuk kanë para. SoftBank ka siguruar më pak se 10 miliardë dollarë".