Gjykatësja amerikane: Vendimi mbi aktivistin palestinez Mahmoud Khalil do të shpallet të premten
Gjykatësja Jamee Comans kërkoi që provat të paraqiten brenda 24 orëve dhe tha se nëse ato nuk janë të mjaftueshme, rasti kundër Khalilit do të mbyllet dhe ai do të lirohet

New York
Gjyqtarja e çështjeve të emigracionit në SHBA, Jamee Comans, i ka dhënë afat qeverisë që brenda 24 orëve të paraqesë provat që justifikojnë dëbimin e aktivistit palestinez Mahmoud Khalil, i arrestuar për shkak të pjesëmarrjes në protesta pro Palestinës, duke njoftuar se vendimin përfundimtar do ta shpallë të premten, transmeton Anadolu.
Khalil, i cili ndodhet në paraburgim që nga arrestimi rreth një muaj më parë, u paraqit në gjykatën e emigracionit në shtetin Louisiana me veshje të burgut. Ai kërkoi që bashkëshortja e tij shtatzënë të lejohej të ndiqte seancën përmes videokonferencës nga New Yorku, por kërkesa u refuzua.
Gjatë seancës, e cila zgjati rreth një orë, Comans urdhëroi qeverinë të paraqiste prova që do të kërkonin dëbimin e Khalilit brenda 24 orëve dhe tha se do të vendosë të premten nëse Khalil, i cili ka të drejtën e qëndrimit të përhershëm të ligjshëm, mund të dëbohet ose duhet të lirohet.
Avokati i Departamentit të Brendshëm ka thënë se provat do të paraqiten deri të mërkurën në orën 17:00 me kohën lokale.
Comans tha se nëse provat nuk janë të mjaftueshme, rasti kundër Khalilit do të mbyllet dhe ai do të lirohet.
“Nëse nuk dëbohet, nuk dua që ai të mbetet në paraburgim. Do ta liroj”, tha Comans.
Avokati i Khalilit, Marc Van Der Hout, theksoi se prej javësh kanë kërkuar prova nga autoritetet, por nuk kanë marrë përgjigje. Ai shprehu shqetësimin se vendimi i së premtes nuk u jep kohë të mjaftueshme për t’i shqyrtuar ato.
Mahmoud Halil, student i masterit në Universitetin Columbia dhe banor i përhershëm ligjor në SHBA, u arrestua më 8 mars para banesës së tij në New York. Avokatët e tij pretendojnë se arrestimi u bë pavarësisht se ai ka kartë jeshile dhe është i martuar me shtetase amerikane.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.