Bota

Gjykata urdhëron qeverinë italiane të kompensojë emigrantët e parregullt

Emigrantët u shpëtuan nga anija e marinës italiane Diciotti në vitin 2018. Megjithatë, ministri i atëhershëm Salvini i ndaloi ata të zbarkojnë për nëntë ditë, duke u arsyetuar se ai po mbron kufijtë e Italisë

Giovanni Legorano  | 07.03.2025 - Përdıtësım : 07.03.2025
Gjykata urdhëron qeverinë italiane të kompensojë emigrantët e parregullt

Romë

Gjykata e Lartë e Italisë ka vendosur se qeveria duhet të kompensojë një grup emigrantësh të parregullt, të cilëve iu mohua zbarkimi i menjëhershëm pasi u shpëtuan në det, njoftoi kryeministrja Giorgia Meloni, duke kritikuar vendimin, transmeton Anadolu.

Emigrantët u shpëtuan nga anija e marinës italiane Diciotti në vitin 2018. Megjithatë, ministri i atëhershëm italian i Punëve të Brendshme, Matteo Salvini, i ndaloi ata të zbarkojnë për nëntë ditë, duke u arsyetuar se ai po mbron kufijtë e Italisë.

Në vendimin e saj, gjykata tha se emigrantët duhet të kompensohen për dëmin e pësuar nga bllokimi në anije. Meloni në rrjetet sociale e quajti vendimin e gjykatës "të dyshimtë".

"Për shkak të këtij vendimi, qeveria do të duhet të kompensojë, me paratë e taksapaguesve të ndershëm italianë, personat që tentuan të hynin ilegalisht në Itali", tha ajo.

"Nuk mendoj se këto janë vendimet që i afrojnë qytetarët me institucionet dhe rrëfej se të shpenzosh para për këtë, kur nuk kemi burime të mjaftueshme për të financuar të gjitha gjërat që duhet të bëjmë, është shumë zhgënjyese", shtoi ajo.

Gjykata tha se shuma që qeveria do të duhet t'u paguajë emigrantëve do të përcaktohet në një fazë të mëvonshme.

Partia Liga e Salvinit gjithashtu kritikoi vendimin. "Absurd. Këta gjyqtarë duhet të paguajnë me paratë e tyre nëse i duan aq shumë emigrantët klandestinë", shkroi partia në rrjetet sociale.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.