Bedrudin Brlyavac
02 Mars 2016•Përditësim: 02 Mars 2016
ATHINË (AA) – Greqia ka dorëzuar një plan emergjence në Bashkimin Evropian, ku thekson nevojën për pothuajse gjysmë miliardë euro, si paketë ndihme për pranimin e 100.000 refugjatëve në territorin grek, raporton Anadolu Agency (AA).
Athina zyrtare pranoi se momentalisht nuk ka mundësi që të përballet me të gjithë refugjatët dhe migrantët që mbërrijnë në Greqi.
“Nuk kemi mundësi që të përballemi me të gjithë refugjatët që arrijnë. Kemi dorëzuar plan urgjent deri te Komisioni Evropian për pranimin e 100.000 refugjatëve”, deklaroi zëdhënësja e qeverisë, Olga Gerovasili.
Sipas këtij plani, Greqisë i nevojiten 480 milionë euro meqë, siç theksuan autoritetet greke, në këtë vend momentalisht gjenden 23.000 refugjatë.
Greqia deri tani ka parashikuar që të pranojë 50.000 deri në 70.000 refugjatë.
Situata në kufirin maqedonas-grek është e tensionuar sepse më shumë se 7.000 refugjatë janë bllokuar për shkak të masave të rrepta të kontrollit ndaj refugjatëve dhe migrantëve në vendet përgjatë "Rrugës Ballkanike".