Ekip
02 Nëntor 2021•Përditësim: 02 Nëntor 2021
Greqia regjistroi 5.449 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit, shifra më e lartë ditore që nga fillimi i pandemisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Organizata Kombëtare e Shëndetit Publik në Greqi informoi se vendi ka regjistruar 747.595 raste të konfirmuara që nga fillimi i pandemisë.
Numri i të vdekurve tani ka shkuar në 15.990, me 52 viktima të reja në 24 orët e fundit.
Gjithsej 430 pacientë janë në respiratorë, ndërsa gati 85 për qind prej tyre janë të pavaksinuar ose pjesërisht të vaksinuar.
Vetëm 66 pacientë aktualisht në respiratorë janë vaksinuar plotësisht.
Sipas zyrtarëve shëndetësorë, mosha mesatare e rasteve të reja është 39 vjeç, ndërsa mosha mesatare e të vdekurve është 78 vjeç.
Rajoni i Atikës, ku ndodhet kryeqyteti i vendit, ka raportuar numrin më të madh të rasteve (1021), pasuar nga rajoni i Selanikut, qyteti i dytë më i madh në vend (828).
Rritja e numrit të rasteve të reja ka vendosur në gatishmëri të lartë ekspertët shëndetësorë, veçanërisht në Greqinë veriore, pasi numri i të hospitalizuarve po rritet me shpejtësi, duke vënë nën presion njësitë e kujdesit intensiv.