Fatjon Cuka
05 Shkurt 2016•Përditësim: 06 Shkurt 2016
TIRANË (AA) – Në kryeqytetin e Shqipërisë është hapur sot Panairi Ndërkombëtar i Turizmit “Tirana 2016”. Më këtë rast është zhvilluar ceremonia e hapjes së panairit në Pallatin e Kongreseve, ku merrte pjesë edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes të Shqipërisë, Arben Ahmetaj, si dhe përfaqësues të operatorëve turistikë, raporton Anadolu Agency (AA).
Panairi Ndërkombëtar i Turizmit, i cili do të zhvillohet në datat 5-6 shkurt është iniciuar nga Unioni Turistik Shqiptar, me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Turizmit të Shqipërisë.
Ministri Ahmetaj u shpreh se kjo është një iniciativë e re, dhe synohet që të kthehet në një traditë të përvitshme për të promovuar turizmin shqiptar, por edhe paketën rajonale të turizmit.
“Lajm i mirë për Shqipërinë është se shifrat e vizitorëve të huaj gjatë vitit 2015 kanë patur një rritje të konsiderueshme. Gjithashtu edhe gjeografia e turizmit ka ndryshuar, ku sot presim turistë nga Europa Lindore, Europa Veriore, apo edhe nga vendet e Gjirit. Sfidë është rritja e cilësisë dhe modestia e mikpritjes”- u shpreh ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes të Shqipërisë, Arben Ahmetaj.
Ky panair ka si qëllim kryesor promovimin e bashkëpunimin rajonal për turizmin e Ballkanit Perëndimor dhe të tërheqë sa më shumë turistë e investitorë me synim rritjen e të ardhurave nga turizmi si edhe rritjen e numrit të vizitorëve.
Pjesëmarrës në panair janë operatorë të rëndësishëm të turizmit nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Italia, Greqia, Mali i Zi, etj.