Hetimi palestinez zbulon se Shireen Abu Akleh u shënjestrua drejtpërdrejt nga snajperi izraelit
Snajperisti izraelit qëlloi drejtpërdrejt me plumb në kokën e Abu Akleh-s, ndërsa ajo po përpiqej të ikte, thuhet në raportin e Prokurorisë Publike
Kuds/Doha
Gazetarja veterane palestineze Shireen Abu Akleh u vra nga një predhë blindëshpuese e qëlluar drejtpërdrejt në kokën e saj nga një snajper izraelit, tha të enjten prokurori i përgjithshëm palestinez Akram Al-Khatib, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë shtypi në qytetin Ramallah, Al-Khatib ndau detajet bazuar në raportin e Prokurorisë Publike për vrasjen e gazetares së Al-Jazeera-s.
“Një snajper izraelit qëlloi drejtpërdrejt një plumb në kokën e Abu Akleh-s, ndërsa ajo po përpiqej të ikte, edhe pse kishte veshur helmetë dhe jelek ku shihej qartë fjala ‘PRESS’”, tha ai.
Al-Khatib vuri në dukje se gazetarët e tjerë që po shoqëronin Abu Akleh-n ishin gjithashtu “qëllimisht” në shënjestër të armëve.
Ai tha se plumbi që vrau gazetaren palestineze kishte shenja të përgjithshme dhe specifike që përputhen me një armë snajper gjysmë-automatike Mini Ruger.
Ndërkohë, Al-Jazeera ka njoftuar se do të dërgojë rastin e vrasjes së Abu Akleh-s në Gjykatën Ndërkombëtare Penale.
“Rrjeti zotohet të ndjekë çdo rrugë për të arritur drejtësinë për Shireen-in dhe të sigurojë që përgjegjësit për vrasjen e saj të sillen para drejtësisë dhe të mbahen përgjegjës në të gjitha platformat dhe gjykatat ndërkombëtare të drejtësisë dhe ligjit”, thuhet në faqen e saj të internetit.
Më 11 maj, Abu Akleh, 51 vjeçe, po ndiqte një bastisje ushtarake izraelite pranë kampit të refugjatëve Jenin në Bregun Perëndimor të pushtuar kur u qëllua për vdekje.
Zyrtarët palestinezë dhe punëdhënësi i saj, Al-Jazeera, thanë se ajo u vra nga forcat izraelite.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.