Huthi: 7 gra dhe 2 fëmijë të plagosur në sulmet ajrore të SHBA-së në Jemen
Sulmet ajrore shënjestruan kryeqytetin Sana, rrethin Al-Hazm në provincën Al-Jawf dhe rrethin As-Sawadiyah në provincën Al-Bayda, tha një televizion i lidhur me grupin Huthi

Sana'a
Shtatë gra dhe dy fëmijë janë plagosur në sulmet ajrore amerikane në disa provinca të Jemenit të mërkurën në mbrëmje, përfshirë kryeqytetin Sana, transmeton Anadolu.
Sulmet ajrore shënjestruan kryeqytetin Sana, rrethin Al-Hazm në provincën Al-Jawf dhe rrethin As-Sawadiyah në provincën Al-Bayda, raportoi televizioni Al-Masirah i lidhur me grupin Huthi.
Në lajm thuhet se sulmet në lagjen Al-Thawra në Sana kanë çuar në lëndime dhe kanë shkaktuar zjarr në një sallë eventesh, krahas dëmtimit të disa shtëpive në afërsi.
Ndërkohë, sulmet ajrore në rrethin Al-Hazm kanë shënjestruar bagëtitë, duke rezultuar në ngordhjen e disa kafshëve, tha televizioni jemenas.
Të shtunën, presidenti amerikan Donald Trump tha se ka urdhëruar një "sulm të madh" kundër Huthive në Jemen.
Nga ajo kohë deri në mbrëmjen e së martës, Anadolu ka regjistruar dhjetëra sulme ajrore amerikane në Jemen, duke rezultuar në 53 të vdekur dhe 107 të plagosur, përfshirë gra dhe fëmijë, sipas raportimeve të grupit Huthi.
Këto janë sulmet e para ajrore në Jemen që nga hyrja në fuqi e armëpushimit Izrael-Hamas në Gaza më 19 janar 2025.
Huthit kanë sulmuar anijet e lidhura me Izraelin që kalojnë nëpër Detin e Kuq dhe atë Arab, Ngushticën Bab al-Mandab dhe Gjirin e Adenit me raketa dhe dronë që nga fundi i vitit 2023, duke ndërprerë tregtinë globale për atë që thuhet se ishte shfaqje solidariteti me Rripin e Gazës.
Grupi ndaloi sulmet kur një armëpushim në Gaza u shpall në janar midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas, por kërcënoi të rifillojë kur Izraeli bllokoi gjithë ndihmën për Gazën më 2 mars.