Bota

Huthit shënjestrojnë Izraelin dhe aeroplanmbajtësen amerikane në Detin e Kuq

Zëdhënësi i grupit Huthi, Yahya Saree tha se SHBA-ja nuk mund ta pengojë Jemenin të shënjestrojë Izraelin "në përgjigje të masakrave të kryera në Gaza"

Iyad Nabolsi, Safiye Karabacak  | 20.03.2025 - Përdıtësım : 20.03.2025
Huthit shënjestrojnë Izraelin dhe aeroplanmbajtësen amerikane në Detin e Kuq

Istanbul

Huthit në Jemen njoftuan se kanë shënjestruar aeroportin ndërkombëtar "Ben Gurion" në Tel Aviv, Izrael, dhe një aeroplanmbajtëse amerikane në Detin e Kuq, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi ushtarak i Huthive, Yahya Saree në një deklaratë tha: "Ne shënjestruam aeroportin 'Ben Gurion' të Izraelit në rajonin Jaffa të Palestinës së pushtuar me një raketë balistike hipersonike të tipit 'Palestine-2' dhe operacioni u krye me sukses", tha Saree.

Ai tha se Huthit vazhdojnë t'u rezistojnë sulmeve të SHBA-së. "Gjatë orëve të fundit, janë sulmuar objektet dhe objektivat civile në kryeqytetin Sana dhe disa qytete të tjera", tha Saree.

Saree deklaroi se shënjestruan "anijet luftarake të armikut" në Detin e Kuq, përfshirë aeroplanmbajtësen amerikane "USS Harry Truman" dhe anijet e lidhura me të, dhe theksoi se "operacionet u kryen me sukses".

"SHBA-ja nuk mund ta pengojë Jemenin të shënjestrojë Izraelin në përgjigje të masakrave të kryera në Gaza", shtoi ai.

SHBA-ja dhe Izraeli nuk kanë dhënë ende deklaratë për këtë çështje.

Huthit të mbështetur nga Irani në Jemen njoftuan të mërkurën se shtatë gra dhe dy fëmijë u plagosën në sulmet ajrore të SHBA-së në disa qytete. Në një deklaratë tjetër të bërë më vonë, Huthit thanë se në sulmet ajrore u vranë 16 persona.


- Sulmet ajrore të SHBA-së në ndaj Jemenit

Huthit më 7 mars njoftuan se i kishin dhënë Izraelit katër ditë afat për të lejuar hyrjen e ndihmave në Gaza, përndryshe ata do të rifillonin operacionet detare kundër Izraelit.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump më 15 mars në një deklaratë në llogarinë e tij në platformën "Truth Social" tha se ka urdhëruar ushtrinë të fillonte "sulm masiv" kundër Huthive në Jemen.

Udhëheqësi i Huthive, Abdul-Malik al-Huthi deklaroi se avionët dhe anijet luftarake amerikane do të jenë objektiv i Huthive për sa kohë që vazhdojnë sulmet dhe se pengimi i lundrimit detar do të përfshijë edhe Washingtonin.

Huthit njoftuan se të paktën 53 persona u vranë dhe 107 u plagosën në sulmet ajrore të kryera nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe në disa qytete, përfshirë kryeqytetin Sana.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.