Eşref Musa,Mehmet Burak Karacaoğlu
20 janar 2020•Përditësim: 21 janar 2020
Të paktën shtatë civilë humbën jetën ndërsa pesëmbëdhjetë të tjerë u plagosën nga bombardimet e avionëve rusë në vendbanimet në pjesën rurale perëndimore të provincës së Halepit që janë të përfshira brenda zonës së de-eskalimit në Idlib të Sirisë, ku aktet e agresionit janë të ndaluara sipas një marrëveshjeje ruso-turke, raporton Anadolu Agency (AA).
Observatori ajror i opozitës tha se avionët rusë në orët e mëngjesit kanë kryer sulme ajrore në fshatrat Kefer Teal, Kefer Cum dhe Cine.
Sipas burimeve të Mbrojtjes Civile (Helmetat e Bardha), tre civilë kanë humbur jetën në Kefer Teal, dy në Kefer Cum dhe dy në Cine ndërsa pesëmbëdhjetë të tjerë janë plagosur.
Ndërkohë civilët që ikin nga sulmet e forcave të regjimit të përbërë nga ushtria e Assadit dhe grupet e huaja terroriste të mbështetura nga Irani si dhe të Rusisë, vazhdojnë të vendosen në afërsi të kufirit me Turqinë.
Rreth 27 mijë civilë janë vendosur në rajonet e operacionit "Mburoja e Eufratit" dhe "Dega e Ullirit".
- Situata në Idlib
Gjatë takimit të Turqisë, Rusisë dhe Iranit në maj të vitit 2017 në Astana të Kazakistanit, Idlibi u shpall zonë e de-eskalimit, përfshirë edhe disa rajone përreth, ku aktet e agresionit u ndaluan.
Turqia dhe Rusia arritën një marrëveshje shtesë në shtator të vitit të kaluar në Soçi si pasojë e shkeljes së armëpushimit nga ana e regjimit sirian.
Megjithatë, forcat e regjimit me ndihmën e mbështetësve i kanë vazhduar sulmet e tyre pavarësisht marrëveshjes. Që nga ajo datë, mbi 1.600 civilë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve.
Rusia, regjimi dhe terroristët që i mbështesin që shënjestrojnë Idlibin, vetëm nga fillimi i vitit 2019 kanë shkaktuar migrimin e rreth 1.3 milionë civilëve në afërsi të kufirit me Turqinë.