Bota

Indi, prishja e një pjese të xhamisë 185-vjeçare shkakton reagime

Prishja e një pjese të xhamisë historike 185-vjeçare "Noori" në shtetin Uttar Pradesh të Indisë me buldozerë me arsyetimin se ka cenuar autostradën, ka shkaktuar reagime

Muhammet Nazım Taşcı  | 11.12.2024 - Përdıtësım : 13.12.2024
Indi, prishja e një pjese të xhamisë 185-vjeçare shkakton reagime Foto: Arkiv / AA

Istanbul

Prishja e një pjese të xhamisë historike 185-vjeçare "Noori" në shtetin Uttar Pradesh të Indisë me buldozerë me arsyetimin se ka cenuar autostradën, ka shkaktuar reagime, transmeton Anadolu.

Sipas lajmit të televizionit NDTV, një pjesë e xhamisë historike 185-vjeçare në rajonin Fatehpur të Uttar Pradesh u shkatërrua nga buldozerët me arsyetimin se cenonte autostradën.

Zyrtarët e shteti pretenduan se vetëm pjesa që cenon autostradën është e jashtëligjshme prandaj është prishur.

Nga ana tjetër, zyrtarë të pushtetit vendor iu referuan pamjeve satelitore dhe historike të zonës së xhamisë dhe thanë se procesi i prishjes ishte i paligjshëm dhe se këto pretendime janë bërë në 2-3 vitet e fundit.

Përgjegjësi i xhamisë, Muhammed Muin Khan tha se "Xhamia 'Noori' u ndërtua në vitin 1839. Ndërkaq autostrada në vitin 1956. Pavarësisht kësaj thonë se një pjesë e xhamisë është e jashtëligjshme".

Menaxhmenti i xhamisë apeloi në gjykatë lidhur me këtë çështje. Shumë qytetarë në rrjetet sociale reaguan për shkak të shembjes së një pjese të xhamisë.


- Ekstremistët hindu pohojnë se disa xhami janë ndërtuar mbi tempuj të shkatërruar

Uttar Pradesh, shteti më i populluar i Indisë me një popullsi prej mbi 250 milionë banorësh, njihet gjithashtu si shteti ku jetojnë më shumë muslimanë në vend. Në periudhën e fundit, ekstremistët hindu, veçanërisht në Uttar Pradesh pretendojnë se xhamitë historike në shtet janë ndërtuar mbi tempujt, gjë që shkakton reagime.

Lëvizja e quajtur "Brigada e Rinisë Yogi", e lidhur me priftin hindu Yogi Adityanath, kryeministri i shtetit të Uttar Pradeshit nga Partia qeverisëse Bharatiya Janata (BJP), pretendon se Taxh Mahali (Taj Mahal), i cili është në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, është ndërtuar mbi një tempull hindu.

Brigada e Rinisë Yogi aplikoi në gjykatë në mars 2024, duke pretenduar se Taxh Mahali ishte "tempull i lashtë Shiva" dhe kërkoi ekzaminim të mauzoleut. Ky hap shkaktoi reagim te muslimanët dhe historianët e vendit.

Gjithashtu pretendohet se xhamia "Gyanvapi" në Varanasi, një qytet që konsiderohet i shenjtë për hindusët, ishte ndërtuar në pjesën e shkatërruar të tempullit hindu Kashi Vishwanath, i shkatërruar në shekullin e 17-të.

Gjykata më 31 janar 2024 kishte lejuar që hindusët të kryejnë adhurimet e tyre në xhaminë "Gyanvapi".

Një pretendim tjetër ishte për xhaminë "Jama", që daton nga periudha e perandorisë Mughal, në rajonin Sambhal të qytetit Moradabad të Uttar Pradesh, se u ndërtua mbi një tempull hindu. Gjatë kontrollit në këtë xhami, nga përleshja që ndodhi mes policisë dhe demonstruesve më 24 nëntor humbën jetën 4 persona ndërsa mbi 30 policë u plagosën.

Edhe xhamia "Babri" shpesh herë ishte temë në axhendën ndërkombëtare.

Hindusët radikalë, të cilët pretendojnë se muslimanët shkatërruan tempullin e ndërtuar në emër të mbretit hindu Rama në shekullin e 16-të dhe ndërtuan xhami në vend të saj, shkatërruan xhaminë "Babri", të ndërtuar gjatë perandorisë Mughal, në dhjetor të vitit 1992.

Prishja e xhamisë shkaktoi trazira në të gjithë vendin që rezultuan në vdekjen e rreth 2 mijë njerëzve.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın