Ahmad Adil
19 Shtator 2023•Përditësim: 20 Shtator 2023
India tha sot se pretendimet për përfshirjen e saj në çdo akt dhune në Kanada janë "absurde dhe të motivuara" dhe i kërkoi qeverisë kanadeze të ndërmarrë "veprim ligjore të shpejta dhe efektive kundër të gjithë elementëve anti-indian që veprojnë në vendin e tyre", raporton Anadolu.
Deklarata e Ministrisë së Jashtme të Indisë erdhi pasi kryeministri kanadez, Justin Trudeau tha të hënën se ka "pretendime të besueshme" se qeveria e Indisë qëndron pas vrasjes së liderit Sikh Hardeep Singh Nijjar në Surrey, British Columbia.
Nijjar u qëllua për vdekje më 18 qershor përpara një tempulli Sikh në qytetin e Surrey. Asnjë arrestim nuk është bërë.
"Akuza të ngjashme u bënë nga kryeministri kanadez ndaj kryeministrit tonë dhe u refuzuan plotësisht", tha Ministria e Jashtme e Indisë duke shtuar se "ne jemi një shtet demokratik me një angazhim të fortë për sundimin e ligjit".
Duke vënë në dukje se "akuza të tilla të pabaza synojnë të zhvendosin fokusin nga terroristët dhe ekstremistët Khalistani", të cilëve u është ofruar "strehim në Kanada dhe vazhdojnë të kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Indisë", ministria tha se "mosveprimi i qeverisë kanadeze për këtë çështje është shqetësim i gjatë dhe i vazhdueshëm".
India sot urdhëroi një diplomat të lartë kanadez në New Delhi të largohej nga vendi pasi Kanadaja dëboi një "diplomat të lartë indian" në lidhje me vrasjen në qershor të liderit kanadez sikh Hardeep Singh Nijjar.
"Komisioneri i Lartë i Kanadasë në Indi u thirr sot dhe u informua në lidhje me vendimin e Qeverisë së Indisë për të dëbuar një diplomat të lartë kanadez me bazë në Indi. Diplomatit në fjalë i është kërkuar të largohet nga India brenda 5 ditëve të ardhshme", thuhet në deklaratën e Ministrisë, duke shtuar se vendimi pasqyron "shqetësimin në rritje të Qeverisë së Indisë për ndërhyrjen e diplomatëve kanadezë në çështjet tona të brendshme dhe përfshirjen e tyre në aktivitetet kundër Indisë".