Nicky Aulia Widadio
09 Shtator 2021•Përditësim: 09 Shtator 2021
Të paktën 25 anëtarë të ekuipazhit në bordin e një anijeje peshkimi janë zhdukur pasi anija u përfshi nga flaka në brigjet e Ishujve Tanimbar në provincën lindore të Indonezisë, Maluku, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyra e Kërkimit dhe Shpëtimit e Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Katastrofave tha se incidenti ndodhi më 3 shtator, por informacionet lidhur me zjarrin u morën të mërkurën.
Varka e peshkimit të kallamarit, KM Hentri, lundroi nga porti Muara Angke në kryeqytetin Xhakartë për në Merauke në provincën Papua me 32 anëtarë të ekuipazhit.
Duke folur për AA, Mustari, kreu i Zyrës së Kërkimit dhe Shpëtimit tha se 2 persona humbën jetën pasi ishin bllokuar në varkën e djegur ndërsa 5 të tjerë mbijetuan.
"Pesë të mbijetuarit u shpëtuan nga peshkatarët vendas. Ne ende nuk e dimë pozicionin e dy personave që u raportuan se kishin vdekur për shkak të zjarrit në anije", tha ai.
Bazuar në informacionet e përkohshme të përpiluara nga agjencia e fatkeqësive, anija u godit nga valët e larta ndërsa lundronte në ujërat e Malukut, pas së cilës zjarri filloi dhe u përhap në anije.
Mustari tha se vazhdojnë kërkimet për viktimat e zhdukura, por ato bëhen me vështirësi për shkak të motit të keq dhe valëve të larta.