Bekim Laci
23 Janar 2016•Përditësim: 24 Janar 2016
SUMATERA BARAT (AA) – Gara tradicionale "Pacu Jawi" e cila mbahet në perëndim të ishullit Sumatra në Indonezi, edhe këtë vit ka tërhequr interesin e banorëve të shumtë të kësaj zone, raporton Anadolu Agency (AA).
"Pacu Jawi" ose gara me buall, mbahet në mënyrë tradicionale në fushat e orizit në fundin e sezonit të grumbullimit, që njëherësh paraqet eventin e festimit të fundit të korrjeve.
Gjatë garës e cila paraqet një traditë 100 vjeçare, kalorësi orvatet të mbajë nën kontroll kafshën në fjalë duke u mbajtur për bishtin e tij dhe të qëndrojë sa më gjatë që është e mundur, ndërsa vet kalorësi qëndron zbathur në një dërrasë druri duke tentuar të mbajë balancin.
Gara synon të demonstrojë fuqinë e kafshëve të cilat më vonë pronarët i shesin gjatë një ankandi.