Inteligjenca koreano-jugore: 600 ushtarë të Koresë së Veriut të vrarë në luftën e Ukrainës
NIS vlerëson se 15 mijë trupa të Koresë së Veriut u vendosën në dy faza për të luftuar përkrah forcave ruse

Ankara
Sipas inteligjencës së Koresë së Jugut, të paktën 600 ushtarë të Koresë së Veriut janë vrarë duke luftuar përkrah forcave ruse në luftën Rusi-Ukrainë, transmeton Anadolu.
Siç raporton agjencia e lajmeve Yonhap, Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës (NIS) ndau shifrat gjatë një takimi me dyer të mbyllura me komitetin e inteligjencës së Asamblesë Kombëtare.
NIS u tha ligjvënësve se Koreja e Veriut duket se ka pësuar mbi 4.700 viktima në total, përfshirë 600 viktimat e konfirmuara, që kur forcat e saj filluan të marrin pjesë në konflikt.
Të hënën, Koreja e Veriut për herë të parë konfirmoi publikisht se ka vendosur trupa në Rusi sipas kushteve të një traktati të mbrojtjes së ndërsjellë të nënshkruar me Moskën.
NIS vlerëson se 15 mijë trupa të Koresë së Veriut u vendosën në dy faza për të luftuar përkrah forcave ruse, megjithëse armiqësitë që përfshijnë këto forca thuhet se kanë rënë që nga prilli pas përparimeve të Rusisë në rajonin e Kurskut.
Derisa agjencia koreano-jugore e spiunazhit nuk ka identifikuar ndonjë lëvizje të re të trupave nga Koreja e Veriut, ajo tha se nuk mund të përjashtojë vendosjen e tyre në të ardhmen.
Vitin e kaluar, Pheniani dhe Moska nënshkruan partneritet strategjik gjithëpërfshirës, duke u zotuar për mbështetje të ndërsjellë ushtarake në rast të një sulmi nga një palë e tretë.
Në një deklaratë në fillim të kësaj jave, Moska tha se do të shqyrtojë ofrimin e ndihmës ushtarake për Korenë e Veriut sipas kushteve të marrëveshjes.