IOM: 100 mijë sirianë që jetonin jashtë vendit u kthyen në shtëpitë e tyre javën e kaluar
Drejtoresha e Përgjithshme e IOM-it, Amy Pope tha se do të ofrojnë mbështetje jetike për të përmbushur nevojat e mëdha humanitare të Sirisë, për të nxitur rimëkëmbjen dhe për të stabilizuar popullsinë
Gjenevë
Organizata Ndërkombëtare e OKB-së për Migracionin (IOM) njoftoi se 250 mijë njerëz u kthyen në shtëpitë e tyre javën e kaluar me rënien e regjimit të Bashar al-Asadit në Siri ndërsa 100 mijë prej tyre janë sirianë që jetonin jashtë vendit, transmeton Anadolu.
IOM bëri një deklaratë me shkrim lidhur me zhvillimet në Siri.
"Në Siri që nga fillimi i luftës civile në vitin 2011 e deri më tani ka patur një shkatërrim të madh dhe shpërngulje të gjerë", thuhet në deklaratën e IOM-it ku rikujtohet se mbi 6 milionë sirianë janë larguar nga vendi dhe se 5.5 milionë njerëz janë zhvendosur brenda vendit.
"17 milionë njerëz në Siri kanë nevojë për ndihmë ndërsa 90 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë. Mijëra refugjatë sirianë që ikën nga lufta po kthehen tani në shtëpi ndërsa të tjerët po vlerësojnë nëse kushtet lokale do të lejojnë apo jo një rikthim të sigurt. Javën e kaluar 250 mijë njerëz u kthyen në shtëpitë e tyre. 100 mijë prej tyre janë sirianë që jetonin jashtë vendit", thuhet në deklaratë.
Më tej theksohet se sirianët dëshmuan nivele të pabesueshme të dhunës dhe shkatërrimit gjatë luftës dhe se të gjitha qytetet janë të rrënuara.
Drejtoresha e Përgjithshme e IOM-it, Amy Pope tha se do të ofrojnë mbështetje jetike për të përmbushur nevojat e mëdha humanitare të Sirisë, për të nxitur rimëkëmbjen dhe për të stabilizuar popullsinë.
"Ky është një moment shprese e madhe dhe mundësi historike për popullin sirian, i cili ka duruar kaq shumë dhimbje dhe trazira në më shumë se 14 vjet konflikti shkatërrues. Edhe pse sfidat janë të mëdha, komuniteti ndërkombëtar duhet të mbështesë sirianët për të rindërtuar jetën e tyre dhe për të siguruar të ardhme më të mirë", u shpreh Pope.
Ajo theksoi se ka informuar vendet donatore, partnerët dhe misionet diplomatike për vendosjen e ekipeve të IOM-it në Damask. Popa i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të mobilizojnë burimet e tij për kthimin e refugjatëve.
"Kthimet e organizuara dhe vullnetare mund të mbështeten kur të plotësohen kushtet", vlerëson Pope.
Drejtoresha e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR) për Lindjen e Mesme, Rema Jamous Imseis tha se një milion sirianë pritet të kthehen deri në qershor të vitit 2025.