Ekip
23 Gusht 2021•Përditësim: 24 Gusht 2021
Iraku sot ka nisur një operacion të sigurisë për të kapur militantët e DEASH-it në veri të kryeqytetit Bagdad, raporton Anadolu Agency (AA).
"Nga këtu, njoftoj fillimin e një fushate sigurie në bashkëpunim me familjet e rrethit Tarmiyah, në veri të Bagdadit, për të eliminuar celulat e fshehura të DEASH-it", tha kryeministri irakian, Mustafa al-Kadhimi, gjatë një vizite në zyrën e komandës së operacioneve në Tarmiyah.
"Luftimi i terrorit është përgjegjësi kolektive ku të gjithë duhet të marrin pjesë. Ne duhet të rishikojmë planet tona të sigurisë për t'u përballur me celula të tilla të fshehura", shtoi Al-Kadhimi në vërejtjet e tij të cituara nga një deklaratë e kabinetit.
Militantët e DEASH-it kanë prani aktive në rrethin Tarmiyah, 50 kilometra në veri të Bagdadit, nga ku fillojnë sulmet brenda kryeqytetit irakian.
Të premten, katër persona humbën jetën dhe tetë të tjerë u plagosën në një sulm që synonte një pozicion të milicisë pro-qeveritare Hashd al-Shaabi në Bagdad.
Terroristët e DEASH-it kanë përshkallëzuar sulmet e tyre muajt e fundit, veçanërisht në zonën midis Kirkukut, Salahuddin dhe Diyala.