Iran, 21 të vdekur dhe mijëra të lënduar në festivalin e zjarrit "Chaharshanbe Suri"
Pavarësisht masave të sigurisë, fishekzjarrët dhe materialet shpërthyese kanë shkaktuar viktima

Istanbul
Të paktën 21 persona kanë humbur jetën dhe 6.419 janë lënduar në festimet që shënuan festivalin e zjarrit "Chaharshanbe Suri" të Iranit, thanë autoritetet, transmeton Anadolu.
Në kryeqytetin Teheran, festimet filluan pas iftarit, me pjesëmarrësit që ndezën zjarre dhe hidheshin mbi to, ndërsa të tjerë ndezën fishekzjarrë, xixëllonja dhe madje edhe eksplozivë të bërë vetë.
Pavarësisht paralajmërimeve nga Departamenti i Policisë së Teheranit nëpërmjet dronëve do të monitorohej përdorimi i eksplozivëve, u raportuan viktima të shumta për shkak të materialeve të tilla.
Shërbimet Mjekësore Emergjente të Iranit njoftuan 21 viktima në mbarë vendin dhe 6.419 të lënduar, me 18 persona në gjendje kritike. Teherani dhe provincat iraniane Azerbajxhani Lindor dhe Azerbajxhani Perëndimor shënuan numrin më të madh të lëndimeve.
Më herët në mëngjes, autoritetet kishin raportuar 19 të vdekur dhe 5.568 të lënduar.
Në Iran, i cili ndjek kalendarin Diellor Hixhri – një sistem i bazuar në lëvizjen e diellit "Chaharshanbe Suri" festohet të mërkurën e fundit në mbrëmje para Nevruzit, Viti i Ri Persian që shënon ardhjen e pranverës.
E njohur në mesin e fëmijëve dhe të rinjve, ngjarja përfshin kërcime me zjarr, fishekzjarrë dhe eksplozivë të bërë vetë, duke shkaktuar shpesh aksidente të rënda.
Çdo vit, festimet dhe përgatitjet rezultojnë në dhjetëra vdekje dhe mijëra të lënduar në gjithë vendin.