Alı H. M. Abo Rezeg
08 Janar 2020•Përditësim: 09 Janar 2020
Trupi i Qassem Soleimanit, komandantit të forcës Kuds të Gardës Revolucionare të Iranit u varros sot në qytetin e tij të lindjes, Kerman, në juglindje të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas televizionit shtetëror iranian, Soleimani u varros pasi ceremonia e varrimit, e caktuar për ditën e martë, u shty dy herë për shkak të pjesëmarrjes shumë të madhe.
Ceremonia e varrimit, sipas raportimit të burimit të njëjtë, u mbajt disa momente pas nisjes së sulmeve raketore nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në bazën ajrore Ain al-Asad në provincën Anbar në Irakun perëndimor dhe në një baze tjetër në Erbil, ku janë të vendosur trupat amerikane.
Flamuj të kuq u ngritën në provincën Kerman pas vrasjes së Soleimani, që nënkuptojnë se "nuk ka varrosje para hakmarrjes".
Ushtria amerikane konfirmoi se gjashtë raketa kishin goditur bazën. Deri më tani nuk ka raportime për viktima.
Soleimani u vra të premten në një sulm ajror të urdhëruar nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, në afërsi të aeroportit të Bagdadit.
Vdekja e tij çoi në një përshkallëzim dramatik në tensionet midis SHBA-së dhe Iranit, të cilat shpesh kanë qenë të acaruara që kur Trump në vitin 2018 vendosi që të tërheqë në mënyrë të njëanshme Washingtonin nga pakti i marrëveshjes mbi programin bërthamor të fuqive botërore me Iranin.
Lider Suprem i Iranit, Ali Khamenei, i cili vitin e kaluar e nderoi me dekoratën më të lartë të vendit Soleimanin, u zotua për "hakmarrje të ashpër" në përgjigje të vrasjes së tij.