Muhammet Kurşun
04 Qershor 2020•Përditësim: 04 Qershor 2020
Në Iran rritet në 8.071 numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit të ri (COVID-19), ndërsa janë katërfishuar rastet e reja ditore krahasuar me rastet e shënuara në muajin e mëparshëm, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Kianoush Jahanpour, bëri të ditur se në 24 orët e fundit në vend janë shënuar 59 vdekje për shkak të COVID-19.
Numri gjithsej i vdekjeve ka arritur në 8.071 dhe me 3.574 raste të reja ka arritur në 164.270 numri i përgjithshëm i rasteve, njoftoi Jahanpour.
Jahanpour theksoi se deri më tani janë shëruar 127.485 persona, ndërkohë që 2.569 pacientë janë në gjendje kritike.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë konfirmoi se deri më tani në mbarë vendin janë kryer mbi 1 milionë teste të COVID-19.
Në Iran numri i rasteve ditore në fillim të muajit maj kishte rënë deri në 800, por pas heqjes së ndalesave numri i rasteve kaloi sërish në rritje.
Koronavirusi për herë të parë në Iran u shfaq më 19 shkurt në qytetin Qom.