Erdoğan Çağatay Zontur
26 maj 2019•Përditësim: 26 maj 2019
Presidenti i Irakut, Barham Salih dhe ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif, në një takim të realizuar të shtunën, kanë biseduar për mënyrat mbi parandalimin e luftës dhe uljen e tensioneve në rajon, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një kumtesë të publikuar nga Presidenca e Irakut pas takimit thuhet se gjatë vizitës së tij zyrtare në Bagdad, Zarif ka diskutuar gjithashtu edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon dhe në skenën ndërkombëtare, përfshirë mënyrat e gjetjes së zgjidhjes politike për krizat aktuale.
Kryediplomati iranian ka ripërsëritur mbështetjen e vendit të tij për Irakun në fusha të ndryshme.
Salih, thuhet në njoftim, u shpreh i gatshëm për forcimin e marrëdhënieve me Iranin, botën muslimane dhe vendet arabe në përgjithësi, ndërkohë që theksoi vizionin e vendit të tij për krijimin e një raporti të balancuar me fqinjët, që do të bëhej në bazë të interesave të përbashkëta për stabilitetin e rajonit.
Kujtojmë se që nga viti 2014, kur filloi lufta kundër organizatës terroriste DEASH në Irak ndodhen rreth 5.000 ushtarë amerikanë si mbështetje për forcat lokale të sigurisë. Së fundmi janë shtuar tensionet Teheran-Uashington, si pasojë e vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për dërgimin e 1.500 trupave shtesë në Lindjen e Mesme.