Bota

Irani: Do të japim përgjigje shkatërruese ndaj çdo veprimi të Izraelit

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baqaei tha se Izraeli do të përballet me përgjigje shkatërruese nga Teherani nëse zbaton kërcënimet kundër vendit të tij

Ahmet Dursun  | 28.04.2025 - Përdıtësım : 28.04.2025
Irani: Do të japim përgjigje shkatërruese ndaj çdo veprimi të Izraelit

Teheran

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baqaei tha se Izraeli i cili kundërshton negociatat midis Iranit dhe SHBA-së, do të përballet me përgjigje shkatërruese nga Teherani nëse zbaton kërcënimet kundër vendit të tij, raporton Anadolu.

Baqaei në një konferencë për media në Teheran, lidhur me procesin e negociatave Iran-SHBA, deklaroi se bisedimet indirekte midis zyrtarëve të të dy vendeve do të mbahen më 3 maj dhe vendi i negociatave do të njoftohet nga Omani.

Në pyetjen se cilat ishin vijat e kuqe të Iranit në negociata, Baqaei tha se është mbrojtja e të drejtës së Iranit për të pasuruar uranium dhe heqja e sanksioneve në mënyrë efektive.

Ai theksoi se ata presin që vendet evropiane palë në marrëveshjen bërthamore të luajnë rol konstruktiv në negociata.


- Zyrtarët e IAEA-s në Teheran për bisedime teknike

Duke njoftuar se zyrtarët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) kanë mbërritur në Teheran për të zhvilluar bisedime teknike me Iranin, Baqaei tha: "Delegacioni ka mbërritur në Iran dhe sot do të zhvillojë bisedime teknike me ekspertët iranian. Një nga këto është çështja e masave të sigurisë. Irani pret që IAEA të kryejë shqyrtim teknik dhe ligjor të dosjes bërthamore të Iranit".

Kur u pyet për gjenocidin që Izraeli po kryen në Palestinë, Baqaei tha: "Fatkeqësisht, gjenocidi vazhdon duke u rritur. Kemi qenë dëshmitarë të skenave të dhimbshme që synojnë shkatërrimin e Palestinës. Çdo person duhet të ngrihet dhe të shprehë reagimin e tij ndërsa institucionet përgjegjëse për vendosjen e paqes duhet të përmbushin detyrat e tyre".


- Vizita e Pezeshkian në Azerbajxhan

Lidhur me vizitën e presidentit iranian Masoud Pezeshkian në Azerbajxhan, Baqaei tha se "Ky udhëtim është i rëndësishëm dhe për këtë është punuar prej muajsh. Kjo vizitë mund të hapë një faqe të re në marrëdhëniet Iran-Azerbajxhan".

Ai shtoi se gjatë vizitës, përveç zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe, do të nënshkruhen memorandume mirëkuptimi në fusha të ndryshme.


- "Izraeli dëshiron të largojë vëmendjen nga gjenocidi dhe të shkatërrojë procesin diplomatik"

Kur u pyet për qëndrimin negativ të Izraelit ndaj negociatave Iran-SHBA dhe kërcënimet kundër vendit të tij, Baqaei tha: "Zyrtarët izraelitë përpiqen të arrijnë dy qëllime. Ata përdorin deklarata të tilla për të larguar vëmendjen nga gjenocidi i vazhdueshëm në Palestinën e pushtuar dhe për të shkatërruar çdo proces diplomatik në rajon. Sigurisht, këta zyrtarë e dinë më mirë se kushdo se çdo aventurë apo gabim kundër Iranit do të përballet me një përgjigje shkatërruese".

Zëdhënësi Baqaei tha se Izraeli përbën kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare ndërsa vendet perëndimore që mbështesin Tel Avivin duhet të rishqyrtojnë qëndrimin e tyre.

Lidhur me tensionet Pakistan-Indi, Baqaei tha se ata e dënuan sulmin në Jammu Kashmir dhe se të dy vendet janë miq të Iranit.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın