Irani i quan "të pabaza" pretendimet për komplot për të vrarë Trumpin dhe zyrtarë të tjerë amerikanë
Ministria e Jashtme hodhi poshtë akuzat e bëra nga Departamenti amerikan i Drejtësisë pas arrestimit të një të dyshuari
Teheran
Irani ka hedhur poshtë kategorikisht akuzat për përfshirje në një komplot për vrasjen e ish-zyrtarëve dhe zyrtarëve aktualë amerikanë, përfshirë presidentin e zgjedhur Donald Trump, duke i quajtur pretendimet “plotësisht të pabaza”, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Esmail Baghaei hodhi poshtë akuzat e bëra nga Departamenti amerikan i Drejtësisë pas arrestimit të një të dyshuari.
Baghaei iu referua “akuzave të ngjashme” të mëparshme të mohuara nga Irani, të cilat ai i përshkroi si një “komplot i neveritshëm” i orkestruar nga Izraeli dhe fraksionet antiiraniane “për të komplikuar më tej çështjet midis SHBA-së dhe Iranit”.
Departamenti amerikan i Drejtësisë ka ngritur padi penale kundër një personi, duke pretenduar se ai ishte ngarkuar nga Irani për të “mbikëqyrur dhe komplotuar për të vrarë ish-zyrtarë dhe aktualë të qeverisë amerikane, përfshirë Trumpin”.
Sipas aktakuzës, personi, një shtetas afgan 51-vjeçar i quajtur Farhad Shaker, dyshohet se ka synuar të vriste Trumpin përpara zgjedhjeve presidenciale në SHBA me urdhër të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).
Baghaei mohoi akuzat, duke pohuar se Irani do të përdorë “të gjitha mjetet legjitime dhe ligjore, si brenda dhe jashtë vendit, për të mbrojtur të drejtat e kombit iranian”.
Deklarata vjen pas zgjedhjes së fundit të Trumpit si president i SHBA, duke shkaktuar shqetësime se lidhjet e tij të ngushta me Izraelin mund të tendosin më tej marrëdhëniet midis Teheranit dhe Washingtonit.
Trump, i cili shërbeu si president nga viti 2017 deri në vitin 2021, ishte i njohur për një qëndrim konfrontues ndaj Iranit, veçanërisht pasi administrata e tij u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore me Iranin në vitin 2018.
Vrasja e komandantit të lartë ushtarak të Iranit, gjeneral Qassem Soleimani, në janar 2020 gati sa i solli të dy vendet në prag të konfliktit të drejtpërdrejtë ushtarak.
Në fillim të kësaj jave, zëdhënësja e qeverisë së Iranit minimizoi rëndësinë e rezultatit të zgjedhjeve në SHBA, duke deklaruar se “nuk ka rëndësi” se kush bëhet president.
Duke folur me gazetarët në Teheran të mërkurën pas një takimi javor të kabinetit, Fatemeh Mohajerani konfirmoi se politikat e përgjithshme të Iranit mbeten të pandryshuara.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.