Ahmet Dursun
08 qershor 2023•Përditësim: 08 qershor 2023
Irani ka hedhur poshtë akuzat e disa vendeve perëndimore se programi i tij i raketës balistike është në kundërshtim me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kanaani, në një deklaratë me shkrim ka theksuar se "Aktivitetet raketore të Iranit, janë konvencionale, me qëllim mbrojtës dhe plotësisht të bazuara në ligjin ndërkombëtar".
Kanaani i ka cilësuar si "ndërhyrëse" deklaratat e SHBA-së dhe disa vendeve të Evropës rreth raketës hipersonike që Irani ka zhvilluar.
"Këto vende të cilat kanë një të shkuar të gjatë në çështjen e shkeljes së përgjegjësive të tyre ndërkombëtare në fusha të ndryshme, kryesisht në testet bërthamore, regjimin e parandalimit të përhapjes së armëve bërthamore dhe strehimin e raketave bërthamore dhe të cilat luajnë një rol shkatërrues në çështjet rajonale dhe ndërkombëtare, nuk kanë të drejtë të shprehin mendim për aftësitë mbrojtëse legjitime të Iranit të cilat janë plotësisht ligjore", ka theksuar Kanaani.
Me një ceremoni të mbajtur më 6 qershor në kryeqytetin Teheran ku morën pjesë presidenti Ebrahim Raisi dhe zyrtarë të lartë ushtarakë, Irani njoftoi raketën e parë balistike hipersonike të vendit të emërtuar "Fattah". Në televizionin shtetëror u transmetuan pamje lidhur me momentet e lëshimit të raketës.
Ministria e Jashtme franceze, në një deklaratë të bërë dje njoftoi se e kanë pritur me shqetësim njoftimin e Iranit për zhvillimin e raketës balistike hipersonike.
SHBA-ja dhe aleatët e saj perëndimorë pretendojnë se aktivitetet e raketës balistike të Iranit janë në kundërshtim me rezolutën 2231 të KS-OKB-së. Ndërsa Irani mbron idenë se raketat e zhvilluara janë konvencionale dhe në përputhje me rezolutën 2231 të KS-OKB-së që mbështet marrëveshjen mbi programin bërthamor.
Rezoluta 2231 e cila u miratua nga KS-OKB më 20 korrik 2015 që mbështet marrëveshjen mbi programin bërthamor e cila aktualisht nuk është në fuqi, i bën thirrje Iranit që të mos kryejë asnjë aktivitet në çështjen e raketës balistike e cila mund të mbartë kokë bërthamore. Ndërsa administrata e Teheranit pretendon se raketat në fjalë nuk kanë kapacitet për të mbartur kokë bërthamore.