Serdar Dincel
31 gusht 2026•Përditësim: 31 gusht 2026
Një zyrtar iranian tha të hënën se ishulli iranian Kharg ishte bombarduar “disa herë nga armiku SHBA-Izrael”, duke shtuar megjithatë se sulmet nuk e kishin ndalur prodhimin e naftës në ishull, transmeton Anadolu.
Deklarata e drejtorit ekzekutiv të kompanisë kombëtare iraniane të naftës erdhi në përgjigje të komenteve të mëparshme të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili tha se “ishulli Kharg është bërë copë e thërrime”, sipas agjencisë gjysmëzyrtare iraniane të lajmeve Fars.
Duke i cilësuar komentet e Trumpit si “qesharake”, agjencia citoi zyrtarin të ketë thënë: “Ndërsa po flas me ju, disa kontraktorë po kryejnë operacione për rindërtimin dhe rinovimin e rezervuarëve të magazinimit.”
“Asnjë nga punët që po zhvillohen në Kharg nuk është ndalur. Disa projekte aktualisht janë përfunduar në masën 20 deri në 30 për qind dhe puna për to po vazhdon.”
Të dielën, forcat amerikane goditën dy lëshues iranianë në ishullin Larak, duke shënuar sulmet e para amerikane në territorin iranian që nga fundi i korrikut, tha një zyrtar amerikan për Axios.
Në përgjigje, Garda Revolucionare Islamike e Iranit tha se kishte goditur bazat amerikane në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordani me raketa dhe dronë.